Gjuriq në OKB: Serbët në Kosovë po diskriminohen
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq e ka nisur fjalimin e tij në seancën e KS të OKB-së duke thënë se “të drejtat themelore të serbëve po injorohen dhe po gërryhen sistematikisht”.“Ajo që shohim sot nuk është kontekst abstrakt. Këtë vit festojmë 80 vjetorin e Kombeve të Bashkuara, një fanar shprese që doli nga hiri i luftës më të rëndë botërore me premtimin ‘Asnjëherë më, kurrë më ‘, por në dheun sovran të një shteti sovran të OKB-së, ky zotim testohet. Ka sulme të vazhdueshme, persekutim i pandalur, arreste arbitrare dhe dhune e pakontrolluar, sfidë e drejtpërdrejt ndaj parimeve të OKB-së. Serbia mirëpret raportin e sekretarit të përgjithshëm si hap modest, për një raport të balancuar, por të vërtetë”, tha ai.
Gjuriq tutje u ankua për mbylljen e strukturave paralele në veri, siç e quajti ai nga “regjimi i Kurtit”.“Ka thyer 128 institucione jetike në pjesën e shumicës serbe, siç janë mbrojtja sociale, posta, pensionet, punësimi e kështu me radhë. Edhe kryqi i kuq është shënjestruar, një shkelje flagrante. Raporti vetë e thotë citoj: Autoritetet e Kosovës kanë vazhduar të mbyllin institucionet e udhëhequra nga Serbia, duke përfshirë edhe fondin e sigurimit shëndetësor. Biblioteka e qytetit dhe lokalet e muzeut, dega e kryqit te kuq në Zubin Potok e sallat sportive në Leposaviq”, ka shtuar Gjuriq.
Tutje ai ka vazhduar me propagandën serbe, duke aluduar se sulmet me motive etnike janë bërë rutinore.“Që nga marrja e pushtetit nga Kurti, mbi 30 të rinj janë shënjestruar, dhe javën e kaluar një vajzë e mitur për pak sa i iku rrëmbimit, me fajin e saj të vetëm, etnia e saj. Ky mohim sistematik i të drejtave nuk është vetëm tragjedi e serbëve, është dështim moral i thellë ndaj veprimit. Çfarë e ardhme i pret fëmijët që mësojnë të fshehin gjuhën e tyre serbe që nga djepi. Këto mizori nuk janë aksidente, rrjedhin nga urrejtja e kultivuar në Prishtinë e përligjur me doktrinën e Kurtit për pastrim etnik të ngadalshëm”, ka thënë Gjuriq.
Sipas tij, synimi i Kurtit është që të largojë serbët nga shtëpitë e tyre e nga toka e tyre, e që sipas Gjuriqit, këtë po e bën me armatosjen e FSK-së.“Kjo po përkeqësohet edhe më tutje nga militarizimi i territorit me armatim të përshpejtuar të ‘të ashtuquajturës’ FSK dhe me blerje të dronëve kamikaz nga një vend fqinj. Përpjekjet e tyre kërcënojnë të thyejnë ambientin e sigurisë. Serbia vazhdimisht ka bërë paralajmërime se ndërtimi i paqes nuk do të thotë armatim i njërës palë duke lënë anash brengat e sigurisë të një vendi tjetër”, ka shtuar Gjuriq. /rtk