Gjyqi për vrasjen e trefishtë në Vlorë, prokurori habit familjarët e viktimave
Sot në Gjykatën e Lartë është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të shtetasve Aleksandër Llanaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, autor të vrasjes së trefishtë të ndodhur në Vlorë në 7 prill të vitit 2015 ne lagjen Çole. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë viktimat Haki Rakipi, Alfred Velaj, Albi Limaj.
Në seance, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani ka devijuar totalisht nga akuza e prokurorisë së faktit Vlorë dhe ajo e prokurorisë së Apelit Vlorë, por edhe nga argumentimi i bërë rreth çështjes nga Gjykata e faktit Vlorë dhe Gjykata e Apelit Vlorë. Njëkohësisht Selmani ka devijuar edhe nga rekursi i bërë nga prokurori i apelit Vlorë Pelivan Malaj drejtuar Gjykatës së Lartë. Prokurori i seancës doli hapur në sallë dhe me material të shkruajtur në mbrojtje të të akuzuarve, argumentoi pa marrë parasysh dosjen se tre të akuzuarit nuk kanë bashkëpunuar në këtë krim dhe se autori kryesor Aleksander Llanaj e ka kryer krimin në kushtet e vetëmbrojtjes.
Pra me pastër nuk mund të bëhet, prokurori i seancës Artur Selmani del në mbrojtje të të akuzuarve, madje me fort se vetë avokatët e tyre. Por tjetër dhe krejt ndryshe ka qenë deklaratat e tij jashtë sallës së gjyqit me familjarët e viktimave, të cilët edhe njëherë tjetër janë ndjerë të vrarë nga drejtësia. Prokurori Selmani ka konfirmuar përpara familjarëve të viktimave.
“Unë vetë nuk e kam studiuar si dosje dhe nuk i di këto që po me thoni dhe argumentoni ju, pasi dosjen e ka studiuar një nga sekretaret e mia dhe është ajo që më ka bërë këtë material ndaj edhe çuditem dhe nuk i kam të studiuara këto që po më thoni ju familjarët”, tha ai.
Bilibil Rakipi, babai i një prej viktimave të kësaj ngjarje makabre dhe pikërisht te Haki Rakipit, por edhe familjarë të viktimave të kësaj ngjarje u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve ligjvënëse dhe ligj zbatuese të shohin drejt dhe në bazë të ligjit se përse ky prokuror pa njohur dosjen dhe hetuar, devijon dhe mohon hetimet, ekspertizat, provat e grumbulluara nga organi i akuzës së gjykatës së faktit Vlorë.