Gorani: Nëse ratifikohet Demarkacioni, do të shpërthejnë trazirat. Më 1 shtator s’do të këtë luftë, por as qetësi!
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dukagjin Gorani, në një intervistë për “Gazeta Blic” paralajmëroi se vendi do të fundoset në trazira dhe konfrontime në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse Kuvendi vendosë ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.
Duke mohuar se do të ketë luftë më 1 shtator, datë kjo në të cilën është planifikuar protestë kundër kësaj marrëveshje, pikërisht në datën kur edhe është caktuar seancë për Demarkacionin, Gorani paralajmëroi se s’do të këtë qetësi, raporton gazetablic.com
Sipas tij, në këto ditë të tensionuara pushteti aktual si rrugëdalje të vetme nga “qorrsokaku” ku e ka futur vetën mund t’i shohë zgjedhjet e parakohshme, për të cilat ai tha se VV-ja është gati.
Po ashtu Gorani, gjatë kësaj interviste ka akuzuar Presidentin Hashim Thaçi, se e ka ofenduar rëndë opozitën me konstatimin se kanë ‘kauzë falso’, pasi që sipas tij, janë vetëm dy mundësi ka ose nuk ka kauzë, e s’mund të këtë një të tillë siç ka thënë Thaçi.
Intervistën e plotë mund ta lexoni më poshtë:
Gazeta Blic: Na ndajnë vetëm edhe pak ditë nga seanca e Kuvendit të Kosovës për Demarkacionin me Malin e Zi. Qëndrimi i VV-së, është i ditur karshi kësaj çështjeje, por konkretisht çfarë ka ndërmend të bëjë VV për pengimin e Demarkacionit?
Gorani:Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë protesta masive, rezistencë popullore dhe padëgjueshmëri qytetare. Këto janë instrumentet e vetme politike që kemi. Ne nuk mund të nisim luftë, por do të angazhohemi që të mos ketë as qetësi pa drejtësi.
Andaj, shpresoj dhe ftoj në pjesëmarrje masive në protestën e 1 shtatorit. Si çdoherë, është me rëndësi që edhe numerikisht të konstatohet vëllimi i pezmit popullor karshi Marrëveshjeve të dëmshme dhe kriminale. Me sa po shoh prej sondazheve dhe analizave të disponimit publik, ky mllef nuk ka qenë kurrë më i madh. Atë duhet të jemi në gjendje ta shpërfaqim më 1 shtator.
Natyrisht, jo të gjithë të pakënaqurit dalin në protesta. Kjo ndodhë për shkak të ndjenjës së pafuqisë dhe depresionit shumëvjeçar. Masa reale e të pezmatuarve është gjithnjë shumë më e madhe se ajo që del në shesh. Protesta nuk e reflekton sasinë e pakënaqësisë – por e ilustron gatishmërinë për veprim dhe për ndryshim. Ajo dëshmon për masën e atyre që janë të gatshëm të veprojnë për ta parandaluar dëmtimin e vendit. Besoj që kjo masë po rritet vazhdimisht dhe shpresoj që kjo të vërtetohet më 1 shtator, në Prishtinë.
Gazeta Blic: Çka nëse nuk do të arrini ta pengoni ratifikimin e saj në Kuvend? Si do të veproni tutje?
Gorani: Nëse Kuvendi vendosë ta ratifikojë Marrëveshjen përkundër pakënaqësisë popullore, do të fundosemi në trazira dhe konfrontime në javët dhe muajt e ardhshëm. Kam frikë se kjo është e pashmangshme. Me ratifikim, ky pushtet do ta vendoste veten jashtë ligjit – dhe përballë drejtësisë. Situata e sotme nuk është lojë; deputetët dhe pushteti duhet t’i dijnë pasojat e një akti kaq të dëmshëm për vendin. Ironikisht, nëse Marrëveshja ratifikohet, e vetmja mënyrë për këtë qeveri dhe kuvend që t’i shpëtojë drejtësisë do të ishte mbetja e përjetshme në pushtet. E, meqë kjo është e pamundshme, e shoh të udhës për ta që Marrëveshjen ta anulojnë dhe ta mundësojnë rinegociimin e saj. Së paku, ky do të ishte një veprim racional i një pushteti të pandërgjegjshëm. Në të kundërtën, do të përballen me ligjin dhe drejtësinë, herëdokur.
Shpresoj të mos kemi situatë të ngjashme me atë të vitit 1989, kur shumica e deputetëve shqiptarë votoi për heqjen e autonomisë së Kosovës. Edhe pse me muaj të tërë, i gjithë populli protestonte duke kërkuar nga ata të mos e votojnë, megjithatë e ulën kokën duke na turpëruar historikisht. Asokohe arsyetoheshin se ‘këtë punë e ka kryer Beogradi’; sot arsyetohen se ‘këtë punë e ka kryer bashkësia ndërkombëtare’. Asokohe, votuan kundër vetes dhe përjetë mbetën tradhtarë të vendit. Këta sot ende e kanë mundësinë të dalin faqebardhë.
Gazeta Blic: Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po e akuzon opozitën për kauzë falso. Si i komentoni këto deklarata të shefit të shtetit?
” Kauzë ka, ose nuk ka”
Gorani: Nuk ka ‘kauzë falso’ – janë këto formulime analfabete. Anekënd rruzullit, njerëzit vriten për kauza nga më të ndryshmet. Për dikë janë të vlefshme, për dikë jo. Mirëpo, në asnjë rast nuk janë ‘falso’. Njerëzit nuk dalin në rrugë të protestojnë e të vriten për ‘kauza falso’. Konstatimi i tillë është ofendim i rëndë i bërë nga padituria e skajshme.
Mendoj se Thaçi e ka futur veten në një situatë të pamundshme. Akuzohet nga të gjitha anët,për korrupsion, për mosdije, për papërgjegjësi dhe paaftësi. Për një kohë fare të shkurtër e rrënoi në tërësi imazhin e vet prej një ‘lideri historik’, të ndërtuar nga pritjet vendore dhe përkrahja ndërkombëtare. Sot, nënshkrimi i papërgjegjshëm i Marrëveshjes për Demarkacion e kërcënon atë edhe me përballje me drejtësinë në të ardhmen. Sot, ai dhe kryeministri Mustafa e përjetojnë mbrojtjen e marrëveshjeve si mbrojtje nga liria. Mirëpo, edhe ne, e edhe ata e dijmë se është tepër vonë për të ndryshuar çkado. Ata janë nisur rrugës pa kthim. Nëse marrëveshja e tyre nuk ratifikohet, e humbin pushtetin. Nëse ratifikohet, mund ta humbin lirinë.
Gazeta Blic: Si subjekti më i madh opozitar për nga numri i votave, keni bërë thirrje edhe për rrëzimin e Qeverisë PDK-LDK. Me cilën parti preferoni të hyni në koalicion dhe a keni vija të kuqe?
Gorani: Lëvizja VETËVENDOSJE! e kupton koalicionin si rezultat i marrëveshjespër parimet qeverisëse, jo si miqësim të liderëve partiakë. Natyrisht, pyetja juaj del nga përvoja e deritashme politike në vend, kur koalicioni nënkuptonte marrëveshje për shpërndarje të privilegjeve, përkatësisht të buxhetit të shtetit. Nëse do të ketë subjekte që do t’i pranojnë parimet qeverisëse të Lëvizja VETËVENDOSJE!, koalicioni do të jetë i mundshëm. Nëse jo, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të merr pjesë në qeverisje. Kaq. Këtu s’bëhet fjalë për pushtet me çdo kusht. Historia e re po dëshmon që kur e synoni pushtetin me çdo kusht, zakonisht i afroheni dyerve të burgut.
Gazeta Blic: Njëri nga njerëzit kyç të partisë, Dardan Molliqaj tha se o do të rrëzohet qeveria o e gjithë VV do të jetë në burg. Çka konkretisht është plani i VV për rrëzimin e Qeverisë?
“Rrëzimi i Qeverisë, qështje teknike”
Gorani: Protestat dhe rezistenca nuk do të ndalen. Besoj se sot, një gjë është e qartë për shumicën dërrmuese të shoqërisë sonë: kjo klasë politike në pushtet është e dëmshme për të sotmen dhe e paaftë për të ardhmen. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë me mobilizim të qytetarëve, me tubime, protestime dhe rezistencë deri në rrëzimin e këtij pushteti. Argumentet për këtë sa po vijnë e po shtohen: marrëveshjet kriminale, zbardhja e skandaleve mbi kapjen e shtetit, dështimi i plotë në zhvillim të vendit – të gjitha këto janë arsye për pakënaqësi dhe rezistencë të përditshme. Presioni i vazhdueshëm do t’i rrëzojë, pashmangshëm.
Sot, rrëzimi i tyre është vetëm çështje teknike. Disa vjet më herët ishte çështje strukturore – madje, edhe etike. Për qytetarin e rëndomtë u desh të kalojnë disa vite për ta pranuar se përballet me një pushtet kriminal; se edhe grupet e dala nga lëvizja çlirimtare qenkan në gjendje të kriminalizohen skajshëm. Vetëdijësimi është gjithnjë proces i ngadalshëm, por kur fillon atëherë nuk ka të ndalur. Kushdo që mendon se kjo situatë e sotme, se krimet dhe skandalet harrohen dhe se gjërat kthehen ashtu siç ishin – gabohet rëndë. Diç e tillë nuk ndodhë asku, e as në Kosovë.
Rezistenca e sotme mund të qetësohet vetëm me ndryshim të qeverisjes. Në të kundërtën do të përshkallëzojë në konfrontim.
Gazeta Blic: Nëse dështon ratifikimi i Demarkacionit dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme VV-ja për to? Si dhe cilat janë pritjet tuaja në rezultatin zgjedhor?
Gorani: Përgjithësisht, opozita është gjithnjë e gatshme për zgjedhje – ndërkohë që Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme veçanërisht. Nuk është larg mendsh që në këto ditë të tensionuara pushteti aktual t’i shohë zgjedhjet si rrugëdalje të vetme nga qorrsokaku ku e ka futur veten. Është fare e mundshme që qeveria të dorëhiqet dhe kuvendi të shpërbëhet, po qe se shefat e PDK-së dhe LDK-së e kuptojnë se nuk i kanë votat e mjaftueshme për ratifikim të marrëveshjeve. Këtë do ta kuptojmë edhe disa ditë. Natyrisht, një veprim i tillë do të ishte qyqarllëk i paparë politik, porse edhe i pritshëm nga ta.
Në anën tjetër, për aq sa mund ta vërej, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shënuar rritje dhe zgjerim të madh në anëtarësi gjatë vitit të kaluar. Kjo do të reflektohet pashmangshëm në rezultatin zgjedhor. Çfarëdo që të jetë ai, do ta sheh Lëvizjen VETËVENDOSJE! si njërin ndër faktorët kryesorë politikë në vend. Në këtë nuk dyshoj./Gazeta Blic/