Groenlandezët pas deklaratave të Trump: Pak lehtësim
Banorët e Groenlandës ndihen pak të lehtësuar pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, se nuk do të përdorë forcë për marrjen e ishullit.
Mirëpo, banorët ende janë të frikësuar, pasi thonë se nuk mund t’i besohet paqëndrueshmërisë së Donald Trump.
“Ndihet si një lehtësim i madh. Dhe në shumë mënyra, sepse sigurisht unë dhe shumë banorë të tjerë të Groenlandës kemi qenë të shqetësuar për atë që mund të ndodhë, sepse ka pasur bisedime për përdorimin e forcës. Por përsëri, me Donald Trumpin nuk i dihet kurrë. Ai është i njohur për thëniet dhe bërjen e të kundërtave”, tha një banor.
“Jam shumë e emocionuar ta dëgjoj këtë, para së gjithash sepse ai ka thënë shumë gjëra rreth marrjes së Groenlandës. Por gjithashtu ende shpresoj për më të mirën dhe përgatitem për më të keqen, sepse ndonjëherë ai mund të thotë shumë gjëra”, u shpreh një tjetër.
Ndërkohë, nga Davos, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se do të mbështesë bisedimet midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara mbi bazën e parimeve.
“Ne qëndrojmë së bashku në Evropë. Kjo do të na ndihmojë t’i përballojmë më mirë sfidat e kësaj epoke të re. Mbi të gjitha, do të hapë dyer të reja dhe do të krijojë mundësi të reja për ne. Për sovranitetin tonë, ne do të qëndrojmë të vendosur dhe fqinjët tanë në Evropë mund të mbështeten në solidaritetin tonë”.
Dhe ndërsa e përjashtoi si opsion përdorimin e forcës për marrjen e ishullit, Trump të mërkurën në Davos u mburr për fuqinë ushtarake amerikane, duke përmendur operacionet e fundit ndaj Nicolas Maduros të Venezuelës në fillim të këtij muaji.

