Gucati për dorëheqjen e Blakajt: Nuk besoj që e ka kërcënuar ndonjë veteran

240
fresco

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, ka thënë se problemit me fyerjen e listave të veteranëve të luftës mund t’i jap zgjidhje vetëm prokuroria.

Ai ka thënë për Express se prokurori i dorëhequr nuk është kërcënuar nga ndonjë veteran. Kërcënimet e shumta ndaj tij, Blakaj i kishte përmendur përmes një shkrimi. Ato madje, ishin arsyeja e dorëheqjes së tij

Në një prononcim për Gazetën Express, Gucati ka folur edhe për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj i cili ishte duke hetuar listat e veteranëve, duke thënë është dashur të tregonte se kush e ka kërcënuar.

“Neve nuk na shqetëson dorëheqja e Blakajt, ka edhe prokuror tjerë që mund ta kryejnë punën e tij . Neve s’na vjen mirë që ka jap dorëheqje, sepse ai ka thënë që e kanë kërcënuar, dhe s’ka tregu se kush e ka kërcënuar”, është shprehur kreu i OVL-së për Express.

Sipas tij, Elez Blakaj nuk është kërcënuar nga ndonjë veteran.

“Nuk besoj që dikush nga veteranët e ka kërcënuar”, ka shtuar Gucati.

Ndërkohë në një letër të dërguar nga burgu për Gazetën Express, Sylejman Selimi, ka shpjeguar se si ka ndodhur rritja e vazhdueshme e numrit të veteranëve.

Ai ka shpjeguar se në kohën kur UÇK-ja është transformuar në TMK, kanë qenë gjithsejtë 12 mijë e 700 ushtarë deri në 13 mijë, por më pas vazhdimisht ky numër ishte rritur nën dijeninë e Agim Çekut.

Selimi shkruan se Komisioni Qeveritar për verifikimin e listave, në vend se t’i pastronte listat, ka shumëfishuar numrin e veteranëve.

“Ky komision ka pas për detyrë që të pastrojë këto lista. Çfarë ka ndodh. Në vend që të pastroheshin ato lista, ato janë rritur shumëfish. Komisioni për verifikimin e listave ka pasur për referencë këto lista bashkë me ato të shoqatave të dala nga lufta, të gjitha këtyre ka qenë protagonist kryetari i këtij komisioni Agim Çeku”, ka shkruar Selimi.

Ndryshe prokurori Elez Blakaj që po hetonte listat e veteranëve ka dhënë dorëheqje nga posti i tij ditë më parë, shkaku i kërcënimeve që thotë t’i këtë marrë gjatë punës së tij, dhe lëndën e tij sipas burimeve të Gazetës Express pritet që ta marrë Haki Gecaj.

Pas dorëheqjes së Blakajt ka qenë kryeministri Haradinaj që ka reaguar ashpër ndaj tij duke e sulmuar dhe fyer.

Sipas Haradinajt dorëheqja e tij do të ndikojë negativisht edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Comments