Gucati reagoi pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së: Serbia është në gjah ndaj luftëtarëve tanë

54

Ish-ushtari i UÇK-së Avni Qenaj, është arrestuar në Serbi.

Ai ishte pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

Qenaj, aktualisht ndodhet në paraburgim me masë ndalimi 48-orësh, ndërsa ndaj tij pritet të dorëzohet një kallëzim penal në prokurorinë kompetente.

Lidhur me arrestimin, ka reaguar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

Gucati bëri sërish thirrje që ish-luftëtarët të mos kalojnë përmes Serbisë nën asnjë rrethanë.

“Kam dëgjuar se është arrestuar që Avni Qenaj nga fshati Romaj e Hasit. Kështu me keqardhje po them, më vjen keq që ende nuk kam të dhënë konkrete. Me sa po flitet është pjesëtar i UÇK-së. Besoj që do të jetë ashtu. Megjithëse nuk po mundemi t’i nxjerrim të dhënat tona”, deklaroi Gucati në TV Dukagjini transmeton Klankosova.tv.

“Unë besoj që po gabojnë që po i bijnë këta djem nëpër Serbi. Ne iu kemi bërë apel edhe përmes televizionit tuaj, që çdo njeri që është pjesëtar i UÇK-së të mos shkoj nëpër Serbi. Se Serbia është duke hulumtuar, është nëpër gjah që t’i ndal të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe tu ngrit aktakuza edhe pa bazë”, theksoi ai.

Comments