Hahn takon liderët në Maqedoni, flet për zgjedhjet


Johanes Hahn sot në Maqedoni ka folur edhe për zgjedhjet e parakohshme
Komisari i Bashkimit Evropian për negociata për zgjerim, Johanes Hahn, i cili sot po qëndron në Shkup, paradite u takua me kryeministrin Emill Dimitriev, me liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, ndërsa pasdite liderët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev.
Hahn pati takim edhe me prokuroren speciale publike, Katica Janeva. Ajo pas takimit, shkurt tha se kanë biseduar për punën e PSP-së, pa dhënë më shumë hollësi. Mohoi se në takim është bërë fjalë edhe për formimin e mundshëm të repartit të posaçëm gjyqësor.
Komisari për negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian, paraprakisht u takua edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
“Hollësi për vizitën, siç kumtuan nga Komisioni Evropian, është “t’u bëhet kontroll ngjarjeve politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, posaçërisht lidhur me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, si dhe zbatimin e Prioriteteve urgjente reformuese”, ka thënë Hahn.
Dje, eurokomisari Hahn dërgoi porosi se është “me rëndësi që kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të besueshme duhet të përmbushen”.
“Marrëveshja e arritur verën e kaluar nga ana e të gjitha partive politike dhe arritja e datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është hap i mirë. Megjithatë, ky është vetëm fillimi: me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të përmbushen tërësisht dhe qytetarët të mund të marrin pjesë lirshëm në to”, tha komisari Hahn.