HAHN: TREGONI MATURI POLITIKE, ZBATONI REFORMAT

204

Liderët në vend duhet të tregojnë pjekuri politike që sa më shpejtë të përfundoj kriza politike, deklaroi euro-komisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, pas takimin që pati dje me liderët e të gjitha partive parlamentare. Ai ju bëri thirrje liderëve që të fokusohen në punë konkrete, dhe të sjellin vendimin më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Me sa duket do të duhet kohë. Ata duhet të negociojnë, dhe duhet të sjellin vendim në interes të vendit dhe qytetarëve, perspektivave evropiane, dhe të fokusohen në punët konkrete për shtetin dhe perspektivave evropiane. Unioni Evropian do të bëj gjithçka që ti ndihmojë drejtuesve të vendit”, tha Johannes Hahn. 

Pas takimit me Hahn, kryetari i LSDM-së tha se po nxiton që sa më shpejtë ti mbledh nënshkrimet, që të formohet qeveria dhe të zbatohen reformat të cilat do të kenë efektin e vet tek secili qytetar.

“Unë thash, nëse doli diçka nga ky takim me zotin Hahn, është ajo se duhet të përshpejtohen me përgatitjet për formimin e qeverisë, sepse edhe qytetarët edhe Unioni Evropian po presin aksion, presin që qeveria e ardhshme të fillojë menjëherë me reformat, të cilat do ti ndjejë secili qytetarë”, deklaroi Zaev. 

Me euro-komisarin u takua edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, por ai nuk u prononcua pas takimit, e as të xhirohen sekuenca nga ky takim.

E derisa LSDM po shpejton që ti mbledh nënshkrimet, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se më e rëndësishme është cilësia, e jo shpejtësia.

“A është me rëndësi të merret një vendim i drejtë, apo të merret një vendim i shpejtë dhe të bëjmë aksident? Në Belgjikë ka zgjat dy vite, por ne nuk jemi Belgjikë dhe unë nuk them që dy vite të zgjatë. Por nuk është situatë pa zgjidhje, por zgjidhja duhet të jetë e drejtë dhe e mirë”, tha Ahmeti. 

BDI pret dokument zyrtar nga LSDM, me premtimet që e pranon platformën, e më pas do të japin nënshkrimet që Zoran Zaev ta merr mandatin. Për dallim nga BDI, Lëvizja Besa është e gatshme që menjëherë ti jep nënshkrimet LSDM-së që kjo e fundit ta merr mandatin, por kur të vijë koha për formimin e qeverisë, atëherë kjo parti do ti shpalos kushtet.

“Ne jemi të gatshëm që ti japim nënshkrimet që lideri i opozitës të merr mandatin. Por sa i përket formimit të qeverisë, ai është proces tjetër, dhe për atë duhet të bisedohet. Nëse diçka në ato bisedime është kundër principeve tona sigurisht që nuk do të jemi pjesë e qeverisë”, deklaroi Gashi. 

Edhe LR PDSH është e qëndrimit se duhet të formohet sa më shpejtë qeveri. Kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela, tha se zgjedhje të parakohshme nuk janë opsion, por pjesë e qeverisë nuk mund të bëhen persona që janë nën hetim.  Edhe pse janë bashkuar nën një deklaratë të përbashkët, Aleanca për Shqiptarët nuk është e informuar se si po ecën procesi i bisedimeve mes BDI-së dhe LSDM-së.

“Unë kam pritur deri tash që Lëvizja Besa ta thërras takimin e radhës. Unë kam bërë edhe një takim në lidhje me këtë temë me, kam shkuar në selinë e Lëvizjes Besa dhe kërkuar kryetarit Kasami që ta thirre tryezën e bisedimeve të partive politike shqiptare, në mënyrë që të informohemi edhe për rrjedhjen e bisedimeve të deritanishme. Mendoj që ka kaluar gjatë kohë, kam paralajmëruar që do ta thërras unë në qoftë se nuk e bëjnë ata vet”, tha Ziadin Sela. 

Edhe nga Aleanca për Shqiptarët janë të gatshëm që ti japin nënshkrimet që Zaev ta merr mandatin, mirëpo nuk janë të gatshëm që të bëjnë asnjë kompromis lidhur me deklaratën e përbashkët të partive parlamentare shqiptare.

Comments