Haliti: S’besoj se deputetet e kanë ditur marrëveshjen për murin



Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti thotë se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë marrëveshjeje paraprake bilateral për murin në Mitrovicë.
Në një deklarim për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’, Haliti ka thënë se nuk e beson të ketë qenë në dijeni për këtë as ndonjë deputet tjetër.
“As tani nuk jam i sigurt, nuk e di se si është marrëveshja. Nuk e besoj se e ka ditur asnjë deputet atë detaj. Sidoqoftë ato janë marrëveshje, nëse janë marrëveshje, ato i kanë nënshkru”,tha Haliti.
Xhavit Haliti duke folur në cilësinë e numrit dy të Kuvendit të Kosovës ka ftuar zërat e ndryshëm të shoqërisë dhe organizatave që kanë dalë me qëndrime rreth murit, që t’u besojnë institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit, në tejkalimin e kësaj çështjeje deri tek zgjidhja në rrugë zyrtare.
“Nëqoftëse ka pasur një marrëveshje dhe nuk prishet ajo marrëveshje, atëherë gjithçka është në rregull. Të dy palët kur bien dakord në Bruksel, atëherë, ato janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk është lehtë sot të thuash po, e nesër jo”, ka shtuar Haliti.