
H’amas: Na nevojitet ende kohë për të shqyrtuar planin e Trump për Gazën

Lëvizja palestineze Hamas ka bërë të ditur se i nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar planin e paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha për agjencinë AFP se “Hamas po vazhdon konsultimet lidhur me planin dhe ka njoftuar ndërmjetësuesit se këto diskutime kërkojnë ende pak kohë”.
Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur planin e ri të paqes me 20 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza, pas takimit që u mbajt më 29 shtator, në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Ky i fundit e pranoi propozimin, ndërsa pritet ende përgjigja e Hamasit. Brenda 72 orëve, Hamas duhet të lironte 20 pengje izraelitë të gjallë dhe trupat e pajetë. Pas kësaj, Izraeli do të lironte qindra të burgosur palestinezë.
Në konferencë e përbashkët për mediat, Trump dha disa detaje mbi këtë plan, që nga krijimi i “Bordit të Paqes” që do të drejtohet nga vetë ai e deri te shkatërrimi i tuneleve dhe objekteve të Hamasit.
Vendet arabe dhe myslimane kanë për të ndihmuar në de-militarizimin e Gazës. Forcat izraelite do të tërhiqen gradualisht, dhe do të trajnohen forca lokale policore. Ai theksoi se “palestinezët duhet të jenë të përgjegjshëm”. Trump dhe Netanyahu paralajmëruan se nëse Hamas e refuzon planin, atëherë ofensiva do vijojë.