Haradinaj, Abdixhikut: Lumir, vazhdo vendnumëro se kjo të shkon për shtati ty

270
fresco

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kritikoi votimin e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit nga PDK dhe AAK, duke e cilësuar atë si një “gabim trashanik”.
Përmes një postimi, Haradinaj tha se AAK-ja e ka paralajmëruar muaj më parë bllokadën institucionale dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për zhbllokim, duke kërkuar interpretim kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, transmeton lajmi.net

“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë”, shkroi Haradinaj.

Ai akuzoi Abdixhikun se ka qëndruar pasiv gjatë gjithë kohës duke mbështetur bllokadën politike që kishte kapluar vendin.

“Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!”, përfundoi Haradinaj.

Zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit pas disa muajve bllokadë ka nxitur reagime të shumta në skenën politike kosovare, me partitë opozitare të ndara në qëndrime.

Comments