Haradinaj: Fushata e Thaçit, Mustafës dhe Veselit, shkelje e Kushtetutës

115
Image result

Moebel THEMA

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se fushata që po bëjnë presidenti, kryeministri dhe kryetari i Parlamentit, për të imponuar votimin e demarkacionit me Malin e zi, është shkelje flagrante e Kushtetutës.

“Neni 70, paragrafi i parë në lidhje me nenin 74 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, siguron se ndaj deputetëve nuk mund të ushtrohet presion; nuk ka mandat të detyrueshëm dhe se deputetët përfaqësojnë sovranin e votojnë duke u bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe në Rregullore të Kuvendit. Pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe Kosova nuk është Monarki, prandaj kthejuni punëve tuaja dhe mos u bëni presion deputetëve”, ka thënë Haradinaj.

Nëpërmjet një komunikate Haradinaj ka thënë se në këtë vend gjithmonë ka pasur disa njerëz që për pare e për interesa kanë qenë në gjendje ta shesin edhe babën edhe nënën, por shumica gjithmonë ka qenë në krah të kësaj Kosove.

“Deputetët e Kosovës nuk u janë nënshtruar shantazheve as në kohën e Millosheviqit dhe kanë ditur që edhe nën rrethim, edhe formalisht, t’i nisin themelet e kësaj Republike.

Kosova do t’i ketë kufijtë e saj, pa i marrë dhe pa i dhënë askujt. Do ta ketë të ardhmen e vet euroatlantike dhe rrugën e pakthyeshme drejt BE-së dhe integrimeve të tjera. Por Kosova sot është e papërfunduar dhe populli i saj nuk do ta lejojë askënd që t’ia vrasë të ardhmen, qoftë edhe me do farë marrëveshjesh të dyshimta, me njerëz të dyshimtë e pa fije transparence.  Kjo duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë lideri i AAK-së.

Comments