Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Malit të Zi për demarkacionin, në bazë të së cilës parashihet korrigjim i versionit të mëparshëm.
Haradinaj, thotë se seanca e thirrur për të dielën është shtyrë me qëllimin që të ketë konsultim me të gjitha grupet parlamentare dhe me të gjithë deputetët.
“Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e Demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe dëshiron konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë. Ka një ndryshim në gjendjen faktike. Ka një marrëveshje mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës”, thuhet në deklaratën e Haradinajt, që është dërguar nëpërmjet e-mailit.
Haradinaj thotë se marrëveshja është materie mes dy presidentëve, atij kosovar dhe malazez.
“Unë vet si Kryeministër kam punuar gjithë kohës për këtë marrëveshje, në substancën e saj dhe i falënderojë të gjithë që kanë qenë të angazhuar. Kjo marrëveshje dhe Ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit, duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë. Kemi humbë gati 3 vjet për këtë dhe ndoshta na shkon edhe një javë, por duhet të jemi të përgatitur dhe të kemi kujdes në përgatitjen e seancës, por nuk ka kthim prapa”, thuhet në deklaratë.
Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së Demarkacionit, thotë Haradinaj.
“Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, thuhet në fund.