Haradinaj: Thaçi e Mustafa, kukulla në raport me Serbinë
Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka akuzuar ashpër presidentin dhe kryeministrin e Kosovës pas vendimit që të shkojnë në takimin e radhës me homologët nga Serbia, shkruan Rel
“Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social, Facebook.
Haradinaj aktualisht ndodhet në Francë, nga ku nuk mund të largohet për shkak të masës së lirimit me kusht. Ai ishte ndaluar nga policia franceze me 4 janar, sipas një urdhërarresti të Serbisë të vitit 2004.
Sidoqoftë, Haradinaj ka komentuar zhvillimet e fundit dhe implikimet e Serbisë në Kosovë, duke i fajësuar liderët e institucioneve për qëndrime jo të përgjegjshme.
“Të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletë-arrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd”, ka shkruar ai.
“Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin”, shkruan Haradinaj.
Krejt në fund, ai ka shkruar në lidhje me deklarimet e prokurorëve dhe politikanëve serbë për rastin Haradinaj, duke shkruar : “I porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi”.