Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një konferencë për media, pas vizitës së tij zyrtare në SHBA.
Haradinaj u pyet edhe për qëndrimet e fundit të Vuçiqit dhe kampanjën e tërheqjes së njohjeve nga Serbia.
“Është gabim drejtimi që ka marrë Vuçiq. Ai ende po vazhdon me vajtu që nuk po ndodh ndarja e Kosovës, ku kishim pasë me i dhënë 950 hektarë, e ai me na propozu ‘ndonjë hektar’, me bë hajgare me Kosovën. Tani ideja se ne duhet ta marrim njohjen duke dhënë diçka ende është në tavolinë e kam përsëritë disa herë”, ka thënë Haradinaj para mediave, transmeton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë, po ashtu ka thënë se është gabim të hiqet taksa.
“Ne mund ta kthejmë tregun, pra taksa me u largu për njohje, por është gabim logjika e Vuçiqit, pengimi i Kosovës. Në fakt, të ju them sinqertë, ai nuk po e pengon Kosovën, ai po e pengon Serbinë. Ai nuk ka me mujtë me ecë përpara drejt BE-së apo drejt ndonjë zhvillimi tjetër duke e penguar Kosovën. Këtë ia kanë bërë të ditur të gjithë”, ka thënë ai.