Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë urime nga krerët e shtetit shqiptar, si dhe senatori Eliot Engel.
“Menjëherë pas marrjes së besimit për ta udhëhequr Qeverinë e vendit, kam pranuar mijëra urime nga qytetarë, simpatizantë të AAK-së e të partive të tjera, nga diplomatë e përfaqësues shtetesh, nga të cilët ndër të parët ishin, Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta, dhe Senatori Eliot Engel. Një falënderim i përzemërt për të gjithë ata”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj është zotuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve e shtetit të Kosovës, dhe do të punojë për mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë kosovare, transmeton Koha.net.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Dje mora besimin për të udhëhequr Qeverinë e vendit në mandatin katërvjeçar. I falënderoj të gjithë ata që më besuan, por edhe ata që votuan kundër, sepse ky është thelbi i demokracisë”, shkruan Haradinaj.
Ai më tutje thotë se, “zotohem para jush qytetarë të dashur, se do të jem në shërbimin tuaj e të shtetit, dhe do të punoj me krejt qenien time për mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë kosovare. Qeveria që do ta drejtoj, do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, besimi, përkatësie politike apo ideologjie, dhe do të jetë më e gatshme se asnjëherë më parë që të bashkëpunojë ngusht më opozitën parlamentare, shoqërinë civile dhe median”.
Haradinaj ka thënë se, “nisja e re për Kosovën bëhet, vetëm duke qenë të bashkuar, e me besim në njëri tjetrin”.