Hasanbeg: Banorët në pritje të dëmshpërblimit të plotë

302
fresco
Hasanbeg: Banorët në pritje të dëmshpërblimit të plotë

midle

Banorët e lagjes Hasanbeg të Shkupit, të cilët pësuan nga vërshimet e 6 gushtit, nuk e kanë të qartë se si do të realizohet procedura për dëmshpërblimin e plotë.

Një pjesë e të anketuarve të TVM-2 thonë se nuk e kanë të qartë nëse do të përfshihen në fazën e parë të këtij procesi, apo në cilin afat do të mund t’i marrin kompensimet. Por, ata shpresojnë se këto mjete do t’i marrin para fillimit të stinës së dimrit dhe se do të arrijnë t’i shlyejnë firmat ku i kanë siguruar materialet ndërtimore.

“Besoni se asgjë nuk kemi të qartë se si do të realizohet procedura e dëmshpërblimit të plotë. Këtu punë nuk ka, ndërsa dëme dhe shpenzime kemi mjaft shumë”, tha një banor i Hasanbegut.

“Të hollat sa më parë t’i marrim se po vjen dimri, dje a e patë sa ftohtë ishte. Nëse hyjmë në dimër të thellë, kush do të meremetojë ose ndërtojë shtëpi. Shtëpia nuk ndërtohet në dimër, ndërsa për shtëpi me qira na nevojiten para më pas”, theksoi një banor i Hasanbegut.

“Po, kam dëgjuar se do të fillojë pagesa e dëmshpërblimit të plotë për pronat e dëmtuara, por me detaje nuk jemi të njoftuar”, u shpreh një banor i Hasanbegut.

“Paratë na nevojiten shumë. T’ju them të drejtën dyshemenë dhe materiale të tjera ndërtimore për shtëpinë time të dëmtuar i kam marrë në veresi dhe ashtu e kam rregulluar katin e parë. Na mungojnë akoma sende tjera”,- deklaroi një banor i Hasanbegut.

“Unë personalisht për vete nuk pres asgjë nga shteti, unë kam të holla, por ka njerëz që akoma janë duke ndenjur me qira”, tha një banor i Hasanbegut.

Ditë më parë, qeveria solli vendim që brenda kësaj jave do të fillojë me fazën e parë të dëmshpërblimeve. Në këtë është paraparë të paguhen dëmshpërblimet në vlerë prej 118 milionë denarësh, që përfshijnë 947 lëndë ose 25% nga 4.000 lëndët, apo familjet që kanë aplikuar për ndihmë. Ndërsa faza e dytë do të realizohet muajin e ardhshëm.

Comments