Shtëpia e familjes Ibrahimi në Hasanbeg në natën e 6 gushtit u përfshi nën ujë, pas vërshimeve masive që përfshinë këtë zonë. Kryefamiljari Nevzat Ibrahimi thotë se kanë pësuar dëme të mëdha, ndërsa shumicën e dëmeve e kanë kompensuar vetë.
“Prej shtetit kam marr vetëm 4.100 euro, kurse dëmi nga vërshimet që kam pësuar kanë qenë afër 10 mijë euro. Është rregulluar, por nga xhepi i kemi dhënë, me atë fukarallëkun tonë i kemi bërë gjërat”, tha ai.
Por ka familje që kanë ngelur edhe pa shtëpi, pasi që nuk kanë marrë kompensimin e duhur.
“Prej vërshimeve ka disa përmirësime por disa familje që kanë mbetur pa shtëpia, janë duke jetuar në konvikte ata kanë probleme, disa kanë nderuar ndonjë shtëpi, por po kalojmë disi. Ndihmat nuk janë dhënë sipas vlerësimeve 10 për qind janë të kënaqur kurse 90 për qind jo”, thotë Rabit Bajrami.
Janë mbi 102 veta që janë të strehuar në konviktin e studentëve “Tome Stefanovski-Seniç” në Shkup, për shkak se kanë ngelur pa kulm mbi kokë. Por një lajm i keq është për këto familje, pasi që janë të detyruar që të lëshojnë hapësirat e këtij konvikti.
“Dëgjuam që deri më 10 shkurt duhet të largohemi nga konvikti, unë si një nënë e vetme, nuk mund të kthehem në shtëpi ende sepse nuk kam kushtë për të jetuar atje. Duhet të vendosen dysheme, ndërsa unë nuk kam mundësi, sepse nuk e kam marrë dëmshpërblimin nga shteti”, tha Sadika Zlata.
Drejtori i konviktit Lulzim Xhemaili thotë se vendimi për tu larguar të strehuarit deri më 10 shkurt është i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, dhe se sipas tij, ky vendim bie ndesh me kompetencat e saj.
“Të gjithë të përmbyturit nga zonat e vërshuara duhet ta lëshojnë konviktin më 10 shkurt. Mendoj që është një vendim jo I matur, bie ndesh me vetë kompetencat e Ministrisë për punë dhe mirëqenie sociale. Në mes të dimrit të largosh familjet, ti lësh në rrugë, parashtrohet pyetja çfarë mundi bëra unë deri tash”, tha ai.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale sot nuk pati përgjigje lidhur me vendimin e largimit të strehuarve nga konviktet.
Institucionet nuk duan të flasin për kompensimin e dëmeve që ndodhën në Hasanbeg dhe në Stajkovc. TV21 kontaktoi me disa prej tyre, por pritjet dhe premtimet janë pas formimit të Qeverisë së re. Në rrugët e Hasanbegut akoma janë mbetjet e vërshimeve. Edhe pse është punuar për sanimin dhe kthimin e normalitetit, banorët thonë se nuk mund të heqin nga koka 6 gushtin, tmerrin që përjetuan, ku humbën jetën 23 veta, 140 të lënduar, dhe ku ishin të prekura mbi 5 mijë familje.