Hasanbegu po i kthehet jetës normale, banorët falënderojnë vullnetarët

Tashmë shumë shtëpi dhe rrugica janë pastruar, është bërë dezinfektimi, ndërsa ekipet e ushtrisë dhe ekipet tjera po vazhdojnë të punojnë në sanimin e dëmeve transmeton TVM2.
Banorët thonë se problemi esencial i tyre mbeten shtëpitë e shkatërruara.
Ata shpresojnë që sa më shpejt shtëpitë e tyre t’u riparohen, pasi që në to për momentin nuk ka kushte për jetesë. Në Hasanbeg gjithashtu ende janë prezentë vullnetarët që kanë ardhur nga mbarë trojet shqiptare për të ndihmuar.
“Po shikoni, iu falënderohemi gjithë atyre që na i kanë pastruar rrugët e shtëpitë deri tani, kemi ende probleme, por jemi të kënaqur me punëtorët vullnetarë, jo me shtetin. Po probleme kemi me shtëpitë, duhet me i rregulluar, sepse tre shtëpi i kam, duhet t’i rekonstruojmë dhe kjo kushton rreth 40.000 euro, gjithashtu tri vetura më janë shkatërruar, edhe ato komisioni ka vlerësuar se janë të dëmtuara 100%, tani se çfarë na japin një Zot e di, jemi në mëshirën e Zotit”,- tha një banor i Hasanbegut.
“Unë jam nga Shqipëria, kam ardhur këtu që t’i ndihmoj vëllezërit e mi. Jam këtu një javë, po kemi punuar, kemi pasur punë, kemi punuar vazhdimisht në pastrimin e shtëpive, rrugëve, gjithkund”,- theksoi një banor i Hasanbegut.
Vazhdojnë edhe ndihmat nga shtete mike, nga komunat turke Marmara dhe Balikesir, kanë arritur kamionë të rinj me produkte ushqimore, veshmbathje, por edhe pajisje për shtëpi.
Turqia ndihmoi edhe me njerëz dhe pompa pastrimi në zonat e përmbytura.