Haziri: Pse presidentja Osmani nuk po e fton edhe VV-në me ia marrë qëndrimin për draftin e Asociacionit

174

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka drejtuar një pyetje për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi dje u paralajmëruar se presidentja pritet t’i ftojë për takim partitë opozitare për të diskutuar rreth draft-statutit të Asociacionit.

Ai ka pyetur pse Osmani nuk po e fton edhe VV- në për t’ia marrë qëndrimin për draft-statutin e Asociacionit.

“Po ashtu pse nuk e fton edhe VV-në Presidentja për t’ia marrë qëndrimin”, tha Haziri.

Sipas tij, LDK-ja nuk mund ta bëjë punën që duhet ta bëjë Qeveria dhe Presidentja.

“LDK nuk mundet me kry punën e Qeverisë e as të Presidentes që e kemi votu edhe ne”, u shpreh ai për Front Online.

Presidentja Vjosa Osmani tha se me partitë do të diskutoj në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.

“Tani për fund vit do t’i ftoj partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, tha ajo para mediave.

Comments