Hidhet shorti në KShZ, publike radhitja e partive në fletëvotim

Sipas vendimit paraprak të KShZ-së, hedhja e shortit është realizuar në dy grupe. Në grupin e parë hodhën shortin partitë dhe koalicionet të cilat janë të përfaqësuara në kuvend, ndërsa në grupin e dytë të gjithë parashtruesit e listave të cilët nuk kanë qenë pjesë e parlamentit të RM-së.
“Nga tërheqja e shortit Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE tërhoqi numrin një, PDSh do të mbajë numrin dy në fletëvotim, BDI do të mbajë numrin tre, ndërsa Koalicioni i udhëhequr nga LSDM do të mbajë numrin katër në fletëvotim. Nga ana e partive jashtëparlamentare, gjegjësisht koalicioneve të cilat kanë garuar në këto zgjedhje, Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi e tërhoqi numrin 5, PPD e tërhoqi numrin 6, Aleanca për Shqiptarët gjatë shorit e tërhoqi numrin 7, Partia Liberale e tërhoqi numrin 8, Koalicioni VMRO-për Maqedoninë e tërhoqi numrin 9, Partia Politike Lëvizja BESA e tërhoqi numrin 10 dhe partia politike E Majta e tërhoqi numrin 11”,- deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
Pjesëmarrësit në zgjedhje do të mbajnë të njëjtin numër sipas shortit të tërhequr në të gjitha njësitë zgjedhore ku kanë paraqitur kandidatë.
Ndryshe, të hënën, më 21 nëntor, fillon fushata njëzetditore zgjedhore, e cila do të përfundojë më 9 dhjetor.