
Skënderbeu luajti në “Elbasan Arena” ndeshjen e kthimit të “Play-off”-it të Europa League me Dinamon e Zagrebit, njofton SYRI.net.
Pasi kishte barazuar 1-1 në “Maksimir”, edhe në shtëpi skuadra korçare barazon 0-0, dhe me gol në fushën kundërshtare kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League.
Të besuarit e Ilir Dajës tregohen të rrezikshëm në minutën e 6-të me Liridon Latifin, duke drithëruar kroatët. Ylli i korçarëve synon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, por portieri i Dinamos devijon me vështirësi.
Më pas vendësit vazhdojnë të luajnë mirë, duke mos u vënë në asnjë moment në rrezik nga kundërshtari. Me pjesën e parë të mbyllur 0-0 Skënderbeu e sheh veten në fazën e grupeve.
Në pjesën e dytë në të 52’ Shehi shpëton korçarët, duke pritur gjuajtjen e Olmo.
Për Skënderbeun, Soue ka rastin më të mirë të shënojë, por i vetëm përballë portierit kroat nuk gjuan si duhet.
Në të 78’ çdo gjë ndërlikohet për bardhekuqtë, pasi mbeten me dhjetë lojtarë. Nimanga ndëshkohet me karton të kuq.
Por me Shehin në krye bardhekuqtë tregohen heroik, duke mos pësuar gol dhe arrijnë për të dytën herë në grupe.

