Holandë, fushatë kundër azilkërkuesve shqiptarë: S’keni të ardhme këtu
Stop ardhjes se shqiptarëve për azil në Holandë. Është kjo kërkesa që autoritetet holandeze kanë për shqiptarët, duke iu thënë se atje nuk do të kenë të ardhme. Fushata kundër azilkërkuesve nisi përpara disa ditëve dhe mediat vendase shprehen se shumë prej shqiptarëve janë kthyer pas ndërprerjes së asistencës financiare.
Vitet e kaluar numri i shqiptarëve që shkonin në Holandë për të kërkuar azil ishte më i madh, por sërish edhe këtë vit numri i aplikuesve mbetet shqetësues. “Shumë prej tyre u kthyen në Shqipëri brenda disa javësh pasi iu hoq asistenca financiare. Fushata ka për qëllim të ndalojë ata të bëjnë udhëtimin drejt Holandës”, shkruan “Telegraf”.
Klaas Dijkhoff, sekretari i shtetit për çështjet e azilit i cituar nga mediat holandeze shprehet se qeveria duhet të dekurajojë fluksin e shqiptarëve drejt Holandës. Çdo shqiptar që largohet nga Holanda për t’u riatdhetësuar në Shqipëri përfitonte një fond prej 200 eurosh, dhe qeveria holandeze do të heqë asistencën.