Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në katër vitet e fundit, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë rezultat konkret.
Në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovë, Hoti ka theksuar se, megjithëse në vitin 2020 nisi një dialog për marrëveshjen përfundimtare që synonte njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve, ky proces u braktis në vitin 2021.
Hoti ka potencuar se dialogu gjatë periudhës 2021-2024 ka qenë i paefektshëm, duke theksuar se palët negociuese arritën marrëveshje në takimet e mbyllura, por sapo dilnin në publik, mohonin gjithçka që ishte diskutuar.
“Kosova ka treguar gatishmëri për dialog që nga viti 2011. Nga atëherë e deri në vitin 2017, janë arritur shumë marrëveshje, edhe pse shumë nga to nuk janë zbatuar. Ato marrëveshje që janë zbatuar e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të dy shtetet”, ka shkruar Hoti.
Tutje deputeti i LDK-së, ka kritikuar, duke thënë se kjo ka qenë qasja e përhershme e Serbisë, ndërsa së fundmi edhe pala kosovare ka filluar të sillet në të njëjtën mënyrë.
“Dialogu gjatë periudhës 2021-2024 nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret. Gjatë kësaj periudhe, palët negociuese pajtoheshin në takimet e mbyllura, ndërkaq sapo dilnin në publik mohonin çdo gjë. Kjo ka qenë qasja e përhershme e palës serbe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, por së fundmi edhe pala kosovare po sillet njësoj”, ka shkruar tutje ai.
Hoti ka theksuar se, derisa problemi kryesor mes dy shteteve, njohja reciproke, nuk adresohet, nuk mund të ketë një normalizim të vërtetë të marrëdhënieve.
Sipas tij, ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian mjaftohen vetëm me faktin që palët po takohen në Bruksel dhe se arrihen dakordime për vazhdimin e takimeve, ndërkohë që vëmendja e duhur politike nga nivelet e larta të BE-së vjen vetëm kur ndodhin krizë në terren, duke e kthyer dialogun në një mjet për zgjidhjen e situatave problematike, e jo për trajtimin e çështjes kryesore – njohjen reciproke.
Ndërkaq ai tha se si opozitë, vazhdojnë ta mbështesim dialogun, por se tanimë është e qartë për secilin se ky format i dialogut nuk sjell rezultate.
“Mbajtja e rajonit të Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së pa asnjë qartësi për kornizën kohore të integrimit i kontribuon kolapsit ekonomik dhe demografik të të gjitha vendeve, që mund të rezultojë nga mungesa e investimeve dhe zhvillimit, si dhe nga migrimi i fuqisë punëtore, duke krijuar një rreth vicioz të jo stabilitetit politik dhe ekonomik”, shkroi Hoti në profilin e tij në Facebook.

