Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar se është fyerje për qytetarët që deputetët e zgjedhur nuk marrin pjesë në seancën të thirrur në mënyrë të rregullt nga kryesuesi.
Gjithashtu Hoti ka bërë thirrje për një tryezë konsultative në mes koalicionit LAA, Vetëvendosjes dhe minoriteteve lidhur me parashtrimin e pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Është e qartë për të gjithë se kush janë mohuesit e formimit të institucioneve të vendit, koalicioni i udhëhequr nga PDK.Më vjen keq që përfaqësuesit e minoriteteve nuk janë prezent dhe ju bashkuan atij koalicioni. Përshëndes deklaratën e ambasadorëve të QUIN-tit që ftuan të gjithë për formim të institucioneve.Kjo situatë nuk mund të vazhdojë, ne si koalicion po parashohim të gjitha mundësitë në sqarimin e bazës juridike për dy pyetje që duhet t’i dërgohen Gjykatës Kushtetuese. E para me mospjesëmarrje dhe mos prezantim të kandidatit konsumohet e drejta për Kryetar të Kuvendit dhe e dyta çka ndodh kur një kandidat që propozohet nuk merr mbështetjen e nevojshme”, ka thënë Hoti, shkruan Indeksonline.
“Këto janë dy pyetje që duhet t’u bëhen Gjykatës.
GP po punon në organizimin e një tryeze në mes Grupeve Parlamentare poashtu dhe ato minoritete dhe për të sqaruar bazën juridike dhe për t’u dakorduar lidhur me hapat që duhet ndërmarrë në zhbllokimin e mos marrjes së vendimit për krijimin e insitutucioneve udhëheqëse në vend.
Duhet pasur konsensus në mes Grupeve Parlamentare për marrjen e hapave të ardhshme.
Është e qartë Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në emër të GP tonë do të ftojmë këtë tryezë edhe juve si Vetëvendosje por edhe për minoritetet për të hartuar pyetje për Gjykatën Kushtetuese pasi rrugë tjetër më nuk ka, është hera e pestë e thirrjes së seancës”, ka shtuar Hoti.
Hoti ka ftuar të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Ftojë të gjithë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe propozoj që të thirren edhe takimet konsultuese ne si LDK jemi pro takimeve konsultative.
T’i japim zgjidhje krijimit të institucioneve dhe bëj thirrje që të ftoni takime konsultuese”, ka përfudnuar Hoti.