Hoti: Tre institucioneve në Kosovë iu cenua pavarësia e punës së tyre
Gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për Radio Televizionin e Kosovës.
Në fjalën e tij para deputetëve, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se tri institucioneve vitale të Kosovës iu është cenuar pavarësia e tyre.
Hoti e pati fjalën për RTK-në, AKI-në dhe Auditorin e Jashtëm.
“Radio Televizioni i Kosovës është institucion i pavarur, që ka për obligim informimin e drejtë dhe të paanashëm të publikohet, dhe financohet nga taksat e qytetarëve. Institucion tjetër i rëndësishëm është AKI-ja, që ka për qëllim të mbrojë sigurinë kombëtare, të prodhojë informacionet e nevojshme për të gjitha institucionet shtetërore për situata që cenojnë sigurinë kombëtare, dhe institucioni i tretë Auditori i Jashtëm, i cili tash mbikëqyr rregullsinë e shpenzimeve të parasë publike”, tha Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu, Hoti shton se në katër vjet nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së, duke përmendur po ashtu edhe përndjekjen e gazetarëve nga AKI-ja.
“Mos të harrojmë se buxheti i RTK-së është i përafërt ose më i madh se i Kuvendit të Kosovës,e financojmë nga taksat e qytetarëve, nuk është bërë asgjë për të pavarësuar financimin e RTK-së”, u shpreh Hoti./Indeksonline/