Hoxha kapet me një milion euro në kufi?!
Brçko – Publiku në rrethin e Brçkos, por edhe në mbarë Bosnje-Hercegovinën, prej ditësh po zhurmohet për sekuestrimin e rreth një milion eurove cash në kufirin ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, gjë që pasohet me informacione të shumta jozyrtare, spekulime dhe pyetje pa përgjigje. Rëndësi të veçantë të gjithë ngjarjes i jep fakti se konfiskimi i parave përkon me vdekjen e papritur të kryeprokurorit të qarkut të Bërçkos, Zekerijah Mujkanoviq, i cili vdiq në të njëjtën ditë kur u konfiskuan paratë.
Sipas informacioneve që u shfaqën në media të caktuara dhe në rrjetet sociale, ngjarja ka ndodhur më 6 janar 2025, kur autoritetet kufitare kroate në një nga pikat kufitare penguan një përpjekje për të transferuar një sasi të madhe parash përtej kufirit. Jozyrtarisht thuhet se në automjet kanë qenë dy burra nga Bërçko dhe se destinacioni përfundimtar i parave dyshohet se ka qenë Zvicra. Në ato pretendime po ashtu përmendet se njëri prej pasagjerëve është zyrtar fetar nga Bërçko, por identiteti i personave, si dhe detajet e rastit, asnjëherë nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet kompetente.
Fakti që kryeprokurori i qarkut të Brçkos, Zekerijah Mujkanoviq, vdiq pikërisht atë ditë, sjell dyshime shtesë në të gjithë rastin. Sipas informacioneve jozyrtare që qarkullojnë në opinion, Mujkanoviq atë mëngjes ka qëndruar në Mexhlisin e Bashkësisë Islame në Bërçko, nga ku dyshohet se më vonë dy persona janë nisur drejt pikës kufitare Gunjë. Pas konfiskimit të parave nga policia kroate, prokurori, sipas të njëjtave burime, është sëmurë dhe ka ndërruar jetë pak orë më vonë. Deri më sot, institucionet zyrtare nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes këtyre dy ngjarjeve, por koincidenca e tyre në kohë ka shkaktuar dyshime dhe spekulime të shumta në opinion.
Qytetarët e Bërçkos janë shqetësuar edhe nga informacioni se kamerat e sigurisë në ndërtesën e Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Bërçko dyshohet se janë zëvendësuar apo hequr më 11 janar, vetëm pak ditë pas incidentit. Sipas pohimeve të burimeve pranë rastit, pikërisht këto regjistrime mund të japin përgjigje për lëvizjen e personave të lidhur me tentativën për të transferuar një shumë të madhe parash. Ky informacion, megjithatë, asnjëherë nuk u konfirmua dhe as u mohua zyrtarisht, gjë që e thelloi edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve.
Sipas njoftimeve jozyrtare, rojet kufitare kroate kanë sekuestruar rreth një milion euro para në dorë, por publiku nuk u informua asnjëherë për identitetin e personave që tentuan të transferonin paratë dhe as për rrjedhën e mëtejshme të procedurës. Publiku spekulon se personat e kapur me paratë kanë vendosur të mos këmbëngulin për kthimin e parave dhe të mbyllin çështjen, për të shmangur pasoja më të rënda ligjore dhe një skandal më të gjerë. Ndonëse çështja fillimisht mbeti jashtë fokusit të publikut, informacionet rrjedhën me kalimin e kohës dhe arritën në media.

