Hoxhaj paralajmëron lajme të mira rreth njohjes së Kosovës

135

Prishtinë, 30 nëntor – Procesi i njohjes së Kosovës është bërë i vështirë, megjithatë dua t’ju siguroj se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe do të ketë disa vende të cilat do ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot një varg projektligjesh, rregulloresh, udhëzimesh administrative dhe vendimesh, transmeton Koha.net.
Ndër të tjera ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës. Qëllimi i plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji është që Agjensioni i Statistikave të Kosovës të harmonizojë kriteret e performancës së raporteve me kriteret e Eurostatit dhe aktet dhe standardet e tjera evropiane.

Me aprovimin e Rregullores për Menaxhimin Financiar të Fondit për Sigurime Shëndetësore, sot nga Qeveria e Kosovës, është përmbush parakushti themelor për funksionalizimin e këtij Fondi. Rregullorja përcakton rregullat dhe procedurat e menaxhimit të fondeve dhe pasurive të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
U aprovua edhe vendimi për dhënien e Garancisë Shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Linja e dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më tej, ka miratuar edhe vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Garancisë për FSDK-Linja e dytë kreditore për Fondin e Sigurimit të Depozitave të Kosovës.

Edhe Statuti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Statuti përcakton organizimin, të drejtat, detyrat, përgjegjësit dhe mënyrën e kryerjes së veprimtarisë së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Kryeministri Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar për vizitën në Bruksel, me rastin e takimit të Lartë të Këshillit për Stabilizim Asociim, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj, ministri i Financave, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci.

“Është vlerësuar si një takim historik i Kosovës, sepse përmes tij jo vetëm që e kemi bërë vlerësimin e të arriturave të dy palëve në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ministri i Punëve të Jashtme ka nënshkruar edhe Marrëveshjen e re Kornizë për programet e Bashkimit Evropian, që është një hap shumë i rëndësishëm i thellimit të bashkëpunimit tonë me Bashkimin Evropian. Ne kemi dhënë zotimet tona se do të punojmë në implementimin e MSA-së, dhe po ashtu do të iniciojmë edhe pjesëmarrjen tonë në programet e reja të Bashkimit Evropian. Gjatë diskutimit atje është shprehur një interesim shumë i madh edhe i yni, por edhe i palës së Bashkimit Evropian lidhur me përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave. Është një proces i cili ka mbet, do të thotë çështja themelore tani mbetet vetëm tek ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dhe Bashkimi Evropian insiston edhe më tutje që ne ta përmbushim edhe këtë në mënyrë që sa jemi në kohë ta kapërcejmë këtë fazë shumë të rëndësishme të liberalizimet të vizave.
Na është thënë qartë që në qoftë se hyjmë në vitin e ardhshëm, gjasat që ne këtë ta arrijmë vitin e ardhshëm nuk janë aq të mëdha, s’mund të them tani se nuk ekzistojnë fare, mirëpo rrezikojmë mjaft shumë. Arsye nuk ka për të rrezikuar, dhe dëshiroj që edhe njëherë përmes kësaj mbledhje të Qeverisë, t’i bëjë apel Kuvendit dhe deputetëve të Republikës së Kosovës që të bashkohemi në këtë rast dhe të përfundojmë edhe këtë kriter i cili shtrohet para nesh. Në qoftë se ka nevojë, ne mundemi që edhe si Qeveri ta themelojmë edhe një Komision i cili do të bënte matjen e sipërfaqes së Kosovës, në bazë të vendimit të Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare se sa kilometra katrorë i ka Kosova dhe a është zvogëluar sipërfaqja e Republikës së Kosovës, duke kërkuar edhe prej opozitës të japin edhe ata ekspertë të vetë, sepse mbesim para opinionit ndoshta borxhli që ta njoftojmë opinionin lidhur me të dhënat ekzakte për territorin e Republikës së Kosovës, dhe në qoftë se edhe kjo bëhet shumë e qartë, e saktë, transparente, atëherë nuk ka asnjë arsye që ne mos ta përfundojmë edhe këtë proces”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njohur kabinetin qeveritar me aktivitetet lobuese në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine me qëllim të rritjes së njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Ministri Hoxhaj tha se java e kaluar në Bruksel është një kaptinë e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Takimi i parë i Këshillit për Stabilizim Asociim nën udhëheqjen e kryeministrit Mustafa dhe znj. Mogherini është një shpejtësi e re e lëvizjes së Kosovës në të ardhmen e saj evropiane dhe është një fuqizim i sovranitetit tonë në raport me Bashkimin Evropian, por edhe më shumë sesa në raport me Bashkimin Evropian. Natyrisht se për procesin e liberalizimit të vizave kusht i vetëm ka mbet ratifikimi i marrëveshjes. Këtë duhet ta di çdo qytetarë i Kosovës, nëse dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza drejt Evropës, përderisa Kosova ka bërë një progres të madh në plotësimin e të gjitha kritereve të tjera.
Dua t’ju informoj po ashtu sa i takon marrëveshjes kornizë për programin. Ndoshta duhet ta kemi një debat më të plotë në Qeveri në një mbledhje të radhës ku Ministria e Jashtme mund të siguron informata më të plota. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje kornizë për bashkëpunim në mes të Kosovës dhe qasjes së Kosovës në programet e ndryshme. Nuk kemi mundësi që të marrim pjesë në të gjitha programet. Mund të marrim pjesë në 3 deri në 5 programe, meqë pjesëmarrja jonë parasheh edhe pagës financiare, ka edhe kosto financiare, që do të thotë se nuk është një listë e dëshirave. Ne si Ministri e Jashtme do t’i ofrojmë çdo ministrie një informatë të plotë dhe pastaj do të marrim një vendim në Qeveri se për cilat programe ne kërkojmë qasje dhe cilat janë vërtet relevante prej atyre që kanë të bëjnë me ndërmarrësinë dhe punësimin deri tek ato në fushën e arsimit dhe të inovacionit si dhe programet që kanë të bëjnë me sundim të ligjit apo edhe me ndërlidhje rrugore. Të gjitha këto duhet t’i mendojmë në detaje.
Unë dua t’ju informoj ju, kryeministër dhe kabinetin qeveritar për disa vizita që kam pasur në disa pjesë të ndryshme të botës. Kam marrë pjesë në disa samite në Afrikë, në disa forume multilaterale në Azi dhe në Amerikën Latine dhe kam pasur disa vizita bilaterale në këto tri kontinente gjatë dy muajve të fundit, tetor e nëntor. Dua t’ju siguroj se qëllimi ynë kryesor është që ta rrisim numrin e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetit. Natyrisht beteja jonë për njohje nuk do të jetë betejë në pafundësi, por e ka një cak të matshëm. Aktualisht janë 112 vende që e kanë njohur Kosovën. Një masë kritike e numrit të njohjeve për ne është numri 120 ose 130 njohje, meqë kjo ka të bëjë edhe me anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Nëse ne do ta kem këtë numër prej 120-130, që janë 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së, pastaj nëse gjatë vitit të ardhshëm do të aplikojmë në INTERPOL dhe UNESCO, do të kemi numër të mjaftueshëm të votave. Deri më tash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrin Hyseni dhe ministrin Shala sa i takon koordinimit tonë se ku duhet të aplikojmë dhe a duhet të aplikojmë. Por procesi i njohjes së Kosovës është bërë i vështirë, megjithatë dua t’ju siguroj se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe do të ketë disa vende të cilat do ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, e ka informuar kabinetin qeveritar për publikimin e rezultateve të PISA 2015, që do të ndodhë më 6 dhjetor në tërë botën.

Comments