Komuna e Shtimes me regjim të veçantë trafiku më 15 janar për përvjetorin e Masakrës së Reçakut

53

Komuna e Shtimes ka njoftuar se më 15 janar do të zbatohet një regjim i veçantë i qarkullimit rrugor, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut dhe aktiviteteve përkujtimore që do të zhvillohen gjatë kësaj dite.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në kuadër të takimeve koordinuese për organizimin e “Ditëve të Reçakut”, të zhvilluara me Policinë e Kosovës, dhe bazuar në masat e sigurisë të prezantuara nga autoritetet policore.

Rrugëtimi i organizuar do të zhvillohet në një drejtim. Ai do të nisë nga qyteti i Shtimes përmes rrugës “Tahir Sinani”, duke vazhduar drejt rrugës së Prizrenit. Hyrja në fshatin Reçak do të bëhet përmes rrugës “Lidhja e Prizrenit” (nga enti special), e cila do të shërbejë vetëm për hyrje, ndërsa qarkullimi do të jetë njëkahor deri te Memoriali në Reçak.

Pas përfundimit të homazheve, kthimi do të realizohet po ashtu në një drejtim, përmes rrugës “15 Janari”, duke vazhduar në rrugën “William Walker” deri në dalje. Qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe rrugën unazore (rrugën e re) për t’u kthyer drejt Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shtimes.

Nga Komuna e Shtimes sqarojnë se rrugët “William Walker” dhe “15 Janari” nuk do të shfrytëzohen për hyrje, por vetëm për dalje. Gjithashtu, do të ketë mbyllje në hyrje të rrugës “William Walker”, si dhe në afërsi të rrugës “Qorr Ilazi” nga drejtimi i fshatit Petrovë, e cila do të shërbejë vetëm për dalje.

Sa i përket parkimit, parkingu pranë Memorialit në Reçak do të jetë i dedikuar vetëm për krerët e shtetit, ambasadorë, delegacione të larta dhe familjarë të martirëve, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta për shkak të moshës. Parkim shtesë do të sigurohet në oborret e familjarëve në fshatin Reçak, në oborrin e shkollës në Çestë të Reçakut, si dhe pranë Shtëpisë së Kulturës në Shtime, ku parkimi do të jetë i rregulluar gjatë mbajtjes së Akademisë Përkujtimore. Hapësirat përreth Bibliotekës do të jenë gjithashtu në dispozicion për pjesëmarrësit.

Komuna e Shtimes u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe shenjëzimin rrugor, në mënyrë që aktivitetet përkujtimore të zhvillohen me dinjitet dhe pa pengesa. /Telegrafi/

Comments