Huliganizmi në veri: Dy nga gjashtë të pandehurit deklarohen fajtorë

65
fresco

Nenad Milkoviq dhe Marko Rakiq e pranojnë fajësinë lidhur me veprat penale “Huliganizëm” dhe “Pjesëmarrje në Turmë”.

Prokurorja e rastit Arbëresha Shala e pranoi deklarimin e dy të akuzuarve. Gjykata Themelore në Prishtinë e miratoi pranimin e fajësisë për të akuzuarit dhe shpallja e aktgjykimit do të mbahet më 22 tetor.

Ndërkaq, katër të akuzuarit e tjerë, Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq, e Aleksandar Llaziq nuk e pranuan fajësinë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit, më 13.10.2021, kanë marrë pjesë me dashje në turma të mbledhura prej rreth më shumë se dhjetëra personash në Mitrovicë të Veriut, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lëvizjet e tyre, dhe kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, ata kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë, B.A, E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore.

Në të njëjtën ditë, të pandehurit Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq dhe Marko Rakiq., në lagjen “Berxhane”, dyshohet se i kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare.

Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro.

E gjatë pauzës së trupit gjykues për t’u konsultuar rreth procedimit të seancës për huliganizëm, në Pallatin e Drejtësisë u ndal rryma.

Comments