Hulumtim i publikut nga ASHAAV: Mediat raportojnë ndryshe për ngjarje të njëjta
Ky është perceptimi i qytetarëve të moshës madhore që vjen si rezultat i një hulumtimi të publikut për edukim medial, ndërsa ka të bëjë me qasjen e tyre ndaj mediave dhe mënyrën se si i shfrytëzojnë informacionet.
Rezultatet të cilat i prezantoi Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele tregojnë se 62.71% e të anketuarve janë të mendimit se mediat shpesh raportojnë ndryshe njëra me tjetrën për ngjarje të njëjta.
“Përqindja më e madhe e të anketuarve, apo 62,71%, janë përgjigjur se shpesh kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta. Ndërsa 22,85% janë përgjigjur se ata informojnë vetëm ndonjëherë në mënyrë të ndryshme dhe vetëm 10, 97% janë përgjigjur se shumë rrallë kanalet televizive informojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta”,– deklaroi hulumtuesja në terren, Nadezhda Pop Kostova.
Në këtë drejtim nuk qëndrojnë shumë më mirë as radio-stacionet, 41.96% e të anketuarve janë përgjigjur se shumica e tyre gjithashtu raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të ngjashme. Edhe tek ueb faqet e ndryshme kryeson mendimi i qytetarëve se ata raportojnë në mënyrë të ndryshme për ngjarje të njëjta edhe atë rreth 37.75%.
Për dallim nga mediat elektronike, tek mediat e shkruara dominon perceptimi i qytetarëve se ata raportojnë ndonjëherë ndryshe për ngjarje të njëjta.
Nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele thonë se kanë ndërmend të nxisin akoma më shumë edukimin mediatik.
Hulumtimi është zbatuar nga 14 nëntori deri më 8 dhjetor të vitit 2016 dhe ka përfshirë 1523 qytetarë nga mosha 16 vjet e më lartë.