Hyrja në qeveri është thjesht pazar me popullin tënd ku ndryshon emri i padronit nga Gruevski në Zaev

209
fresco

midle

Roland Gjoni

Do thoni ju po ku e merr guximin Ivanov për të qenë kaq i prerë kundër kërkesave të shqiptarëve, të cilat janë minimale dhe duhet të ishin realizuar prej kohësh nëse partitë shqiptare nuk do ishin kaq të nënshtruara ndaj partive maqedonase? Po nuk është krejt pa argumentim ky refuzim i Ivanovit. Së pari,Ivanov dhe maqedonasit e dinë cfarë shteti duan dhe po e ndërtojnë ndërsa partitë shqiptare nuk e kanë përcaktuar ose se paku nuk e artikulojnë drejt se cfarë duan përtej pjesës së tortës së pushtetit. Maqedonasit e kanë treguar me investimin e mbi 800 milion Eurove në ndërtimin e Shkupit 2014 edhe me taksat e shqiptarëve se shteti është i maqedonasve dhe të tjerët duhet të pajtohen me statusin e pakicës. Kur filloi të merrte formë Shkupi 2014, BDI në vend që hapte debatin mbi prishjen e karakterit multientik të Shkupit, u kënaq me disa statuja miniature ku pozonin deputë që as nuk i njohin figurat e kombit të vet. Se dyti, Ivanov e di se BDI-ja deri me 29 janar i kishte ndarë edhe postet ministrore me VMRO dhe me nxitim lajmëruan në mediat idiote të Tiranës dhe Prishtinës se u arrit një fitore historike me VMRO sepse u pranua dygjuhësia. Pra edhe pasi nënshkroi me partitë e tjera, BDI-ja pa e treguar se çfarë është pranuar nxitoi me vrap të vazhdonte avazin e vjetër me VMRO. Se treti, Ivanov e sheh se edhe pas pamundësimit të koalicionit të Gruevskit, partitë shqiptare jo vetëm nuk bashkëpunojne por as nuk e mblodhën kurrë Tryezën Ndërpartiake për të përpunuar strategjinë dhe afatet e realizimit të kërkesave pa e cënuar paqen ndëretnike në Maqedoni. Të kesh kërkesa të përbashkëta dhe tryezën që formalizon bashkimin ta kundërshtosh dhe sabotosh kjo është çështje që vetëm Besa mund ta shpjegojë. Jo Ivanovi por edhe fëmijët e kuptojnë se përtej retorikës politike ditore uniteti shqiptar është i dobët për të mos thënë inekzistent. Së katërti, Ivanov e di se Tirana e Prishtina zyrtare jo vetëm që nuk janë interesuar për shqiptarët e Maqedonisë prej vitesh por disa prej tyre mrekullisht kanë bërë biznes me Gruevskin për interesa të vogla meskine. Ky lloji patriotizmi sezonal nuk impresionon as Ivanovin as të tjerët. Prandaj, që Ivanovi ta ndryshojë mendimin, shqiptarët e Maqedonisë duhet ta kuptojnë, sa nuk është vonë, se nuk është qëllim në vetevete të futesh në qeveri kur nuk e di se për cfarë po shkon aty. Pa e vendosur se për çfarë shteti angazhohesh, futja në qeveri është thjesht pazar me popullin tënd ku ndryshon emri i padronit nga Gruevski në Zaev por jo thelbi i shtetit që po i shërben. Për Tiranën e Prishtinën mesazhi nga zhvillimet në Maqedoni është i qartë, ose ndihmoni si duhet dhe cdo ditë ose mos u kapardisni si patriota me lugë në brez nëpër Facebook dhe Twitter. Na i lini në këto punë se mbase i bëjmë edhe më mirë dhe merruni me punë shtetërore dhe kombëtare se për ato jeni votuar.

Comments