Hyseni: Lavdrim Muhaxheri s’është në Kosovë, por do ta ‘mirëprisnim’ (Video)

273
Skender Hyseni

Skender Hyseni
Gjatë vitit që lamë pas autoritetet në Kosovë kanë arrestuar 33 persona në kuadër të operacioneve për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme. Shifrat e ministrisë së Brendshme flasin për 30 kallëzime penale ndaj 78 individëve dhe 32 bastisje në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Ministri i punëve të Brendshme, Skënder Hyseni i tha Zërit të Amerikës se veprimet e autoriteteve kanë bërë që të ndërpritet pothuajse në tërësi shkuarja e qytetarëve të Kosovës në luftën e Sirisë.

“Dhe po bëhet gati një vit që nuk kemi raste të regjistruara. Po e theksoj, të regjistruara sepse, mund të ketë raste që kanë shfrytëzuar rrugë dytësore e të treta për të shkuar në Siri, që ne nuk i dimë. Mirëpo, ai numër, edhe nëse ka ndonjë, është shumë i vogël që të mos them, i papërfillshëm”, tha ai.

Për ekspertët e çështjes thonë se derisa grupi militant Shteti Islamik po humbë territore në Lindjen e Mesme, ai mund të provojë përshtatjen e taktikave të reja për sulme në perëndim. Ministri Hyseni thotë se krahas forcimit të luftës kundër ekstremizmit po ndodhë edhe ndryshimi i rrugëve të radikalizmit dhe jetësimit të sulmeve në botë.

“Tash ka dalë ky fenomeni i ujqërve të vetmuar siç po quhen, “lonely wolves”. Njerëz të ekstremizuar, të radikalizuar skajshmërisht, po që nuk janë të organizuar ose të lidhur në ndonjë grup. Dhe, ne si polici dhe si MPB, tashti e kemi fokusuar edhe këtë fenomen që të mos zihemi në befasi dhe të mos na ndodhë, larg qoftë, që ai ose ajo, ndonjë ekstremist i dhunshëm të hedh veten ne ajër dhe ndonjë qytetar të pafajshëm. Domethënë evoluon lufta kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, por në të njëjtën kohë evoluon edhe mënyra e radikalizmit dhe zbatimit të akteve terroriste”, tha ministri Hyseni.

Në fillim të muajit nëntor policia e Kosovës tha se në një varg operacionesh janë arrestuar 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon. Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit. Sipas autoriteteve “persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin Lavdrim Muahxheri, nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit”. Lavdrim Muhaxheri, u bë i njohur në korrik të vitit 2014 pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij. Në dhjetor, mediet italiane shkruan se ai kishte qëndruar në Kosovë, por kjo u mohua nga autoritetet në Prishtinë.

Comments