I çoi SMS kërcënues kreut të KQZ-së, flet autori: Kam kërcënuar edhe 3 politikanë

234

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga Policia dhe Garda, pasi është kërcënuar nga një person në rrjetin social Facebook.

“Do të të vras ty dhe familjen tënde”, i ka shkruar Emiljan Pjetri nga Shkodra me një mesazh në rrjetin social.

Personi në fjalë thotë për Report Tv, se ndodhet në Athinë dhe pranon kërcënimin. Ai thotë se ka kërkuar edhe politikanë të tjerë, nga kryeministri Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe Ditmir Bushatin në kohën kur ishte ministër i Jashtëm. Pjetri thotë se këto kërcënime nuk i ka bërë si militantë i Partisë Demokratike, por si emigrant shqiptar që ka 10 vjet pa ardhur në vendin e tij.

I pyetur përse e ka kërcënuar Klement Zgurin, kreun e KQZ-së, ai shprehet: “Kam shumë vite që jam jashtë. Kam nja 10 vite që nuk vij në Shqipëri, jam në Athinë. Po shoh atje disa kriminelë si puna e Klement Zgurit, kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Nuk ka gardë republike që t’i mbrojnë nëse ata duan të bëjnë çfarë të duan vet. Këto kërcënime nuk i bëj si militant, i bëj për Shqipërinë, unë jam emigrant”.

Të njëjtën gjë thotë se e ka bërë edhe me kryeministrin Edi Rama në kohën kur në Shqipëri diskutohej të vinin armët kimike. Ndryshe nga Zguri të cilit i ka çuar vetëm mesazhe në Facebook, kreun e qeverisë e ka kërcënuar edhe në numrin e tij personal në telefon, pasi në Facebook Rama i ka bërë block.

“Unë të njëjtën gjë ja kam bërë edhe Edi Ramës për armët kimike, ja kam bërë me telefon madje. Me arsyen që ka dashur të sjellë armët kimike në Shqipëri, prandaj e kërcënova Ramën. I kam thënë se nëse i sjell armët kimike do të kesh pasoja ti dhe familja jote. Edi Rama më ka bërë block në Facebook sepse nuk i pëlqen e vërteta. Arsyeja është që ata janë kriminelë. Ata e kanë bërë dynjanë me ikë nga Shqipëria. Do t’ia bëj nëse…nuk e bëj për Edi Ramën, jo e kërcënoj por ja bëj atij legeni”, thotë Pjetri.

Është i ndërgjegjshëm që janë akuza të rënda dhe shprehet i vendosur se nuk i ka vetëm fjalë, por se mund t’i bëjë realitet këto kërcënime.

“Akuzë e rëndë, po ja bëj vërtetë. Nuk mund të tallet njeri me popullin”, thotë ai, i cili shton se ka kërcënuar edhe Ilir Metën.

Teksa është shpallur në kërkim nga policia, Pjetri thotë për Report Tv, se nuk ndihet i frikësuar, duke shtuar se të frikësuar duhet të ndihen politikanët.

“Policia më ka shpallur në kërkim mua? Policia shpall në kërkim kot. Unë mund të arrestohem por ata nuk e dinë se çfarë do bëj kur të dal nga burgu. Ata mund të kenë frikë kur të dal unë prej burgut pastaj”, shprehet ai.

Comments