I akuzuari për katër vrasje, Altin Ndoci është arratisur këtë mesditë nga reparti infektiv i Durrësit, ku ishte i shoqëruar nga policia e burgut për të kryer kontrolle mjekësore.
Drejtoria e Burgjeve në një deklaratë pas rastit tha se zyrtarët policorë kanë tentuar ta ndalojnë, por nuk kanë arritur, ndërsa po vazhdojnë kërkimet për ta kapur, raporton Top Channel, transmeton Klankosova.tv
39-vjeçari ndodhej në qendën e paraburgimit në Durrës, ndërsa emri i tij është i njohur në botën e krimit dhe hetohet nga SPAK me disa akuza.
Ndoci njihet si person i ‘rekrutuar’ nga Talo Çela, dhe në dosjen e SPAK akuzohet për përkrahjen e autorit të krimit, konkretisht këtij të fundit, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”./Klankosova.tv

