Ibrahimi: Patriotizmi i rremë, mburoja e frikacakëve

59
fresco

Shkup, 29 tetor – Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj, siç i quan ai, “pseudopatriotëve” që po shfaqen në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Ibrahimi shkruan se me afrimin e ditës zgjedhore po shtohet edhe “doza e një patriotizmi të shpifur” nga persona që deri dje “ta kthenin ‘Zdravo’ kur u thoje ‘Tungjatjeta’”.

Ai ironizon “Plakun e Zajazit”, duke e përshkruar si të nervozuar për humbjen e pushtetit, por kritikat më të ashpra i drejton ndaj atyre që, sipas tij, kanë heshtur përballë padrejtësive ndaj shqiptarëve ndër vite, e sot po sillen si patriotë të mëdhenj.

“Ne e dimë çka humb Plaku i Zajazit, prandaj ia kemi falë histerinë, por nuk e marr vesh çka humbin këta të tjerët? Kur u bënë kaq patriotë?”, shkruan ai, duke i krahasuar me “tregtarët e flamujve” që shesin ndjenja kombëtare për përfitime personale.

Ibrahimi thekson se koalicioni VLEN në këtë një vit e gjysmë qeverisje ka ndarë rreth 300 milionë euro për komunat, prej të cilave mbi 80 milionë për ato me shumicë shqiptare, duke realizuar qindra projekte pa asnjë aferë korrupsioni.

Sipas tij, pikërisht këto rezultate kanë shkaktuar “histerinë” e kundërshtarëve politikë. “Ata nuk mund ta gëlltisin suksesin e VLEN-it dhe faktin që për herë të parë qeverisja shqiptare është pa ‘Soravia’ dhe pa abuzime”, ka shkruar ai.

Në fund, Ibrahimi shprehet se kjo “valë e patriotizmit të rremë” do të marrë fund më 2 nëntor, ditën e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. “Durim edhe disa ditë veç, sepse – si ishte ajo – ‘këndej sa bukur, andej sa zi, o AKI’”, përfundon ai.

Comments