Identifikohet viktima shqiptare e tërmetit; nga të plagosurit, një rëndë

111

Moebel THEMA

Identifikohet viktima shqiptare e tërmetit; nga të plagosurit, një rëndë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, në kontakt të ngushtë me Ambasadën Shqiptare në Romë dhe autoritetet italiane kanë siguruar të dhëna të përditësuara mbi shtetasit shqiptarë të prekur nga tërmeti, në radhët e të cilëve është regjistruar një viktimë.

Sipas një njoftimi online të MPJ, personi që ka humbur jetën është shtetasi Erjon Toro, ndërkohë që numri i shqiptarëve të plagosur është 7 vetë.

“Nga kontaktet që ambasada jonë në Romë po mban në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet italiane dhe shtabet e krizës bëhet e ditur se në spitalin ‘Gemelli’ të Romës ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore shtetasit shqiptarë të mëposhtëm: Xhesika Hasani, Sara Hasani, Romina Duro, Lori Duro, Hatixhe Hasanaj”, vijon njoftimi.

Në spitalin e Rietit ndodhet ndërkohë jashtë rrezikut për jetën shtetasja shqiptare me inicialet: Xh.T; ndërsa në spitalin e rajonit të Akuilës ndodhet në një gjendje më të rëndë shtetasja me inicialet: E.T.

Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet ‘më të thella’ familjës së viktimës dhe uron për shërim të shpejtë të të plagosurve.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë është e angazhuar për të ndjekur hap pas hapi në terren si dhe në koordinim të plotë me autoritetet italiane dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë të plagosur. MPJ do të vijojë të informojë opinionin publik mbi ecurinë e situatës”, përfundon njoftimi.

/ Top Channel

Comments