Pas 3 viteve të kaluara te Rabotniçki, Igor Aleksovski, ka vendosur ti jap fund qëndrimit të tij te skuadra shkupjane, por njëherit edhe në futbollin vendor. Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se gardiani 30-vjeçar do të vazhdojë karrierën në Superligën shqiptare, duke firmosur me Vllazninë e Shkodrës.
Aleksovski do të largohet si futbollist i lirë nga Rabotniçki, me të cilët shkëlqeu këtë sezon në elitën e futbollit vendor, duke ndihmuar njëkohësisht skuadrën nga “Parku i Qytetit” që pas disa viteve sërish të luaj në Europë.
Gardiani shkupjan shihet si një përforcim i rëndësishëm te Vllaznia, teksa eksperienca e tij do të japë “garanci” për portën. Skuadra shkodrane kështu fiton “garën” me Tiranën në merkato, skuadër kjo që gjithashtu kishte shfaqur interes për shërbimet e Aleksovskit.
Kujtojmë, Aleksovski është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, për të cilën numëron 3 paraqitje.
Ditëve në vijim pritet që Aleksovski edhe zyrtarisht të firmosë me skuadrën nga Shkodra.