Sot, Ilir Meta do të marrë zyrtarisht ‘bekimin’ e Kuvendit duke marrë detyrën e Presidentit. Kur mbeten edhe pak orë nga nisja e ceremonisë zyrtare të betimit të Presidentit të ri të Republikës, organizatorët po kopsisin detajet. Nga vëzhgimi që bëri “Shekulli” është konstatuar se organizatorët i kanë kushtuar vëmendje të veçantë gjelbërimit përreth sallës së Parlamentit, ku në orën 18:00 të së hënës pritet të zhvillohet edhe ceremonia e betimit të Ilir Metës. Ndërkohë mësohet se janë ftuar të gjitha forcat politike në event. Opozita, sipas burimeve, nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit në Kuvend. Në oborrin e Presidencës është ndërtuar një podium dhe janë ngritur shkallë ku do të ulen të ftuarit. Mësohet se pjesë e ceremonisë do të jetë kabineti i qeverisë, opozita dhe i gjithë trupi diplomatikë në vendin tonë. Pas kësaj, në orën 19:00, Presidenti i sapo betuar do të drejtohet për në Presidencë, ku edhe atje janë duke u bërë përgatitjet e fundit për të pritur të gjithë të ftuarit që do të jenë në ceremoni. Diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë janë të ftuar në këtë ceremoni, përfaqësuesit e klerit shqiptar, deputetë, ministra, përfaqësues të mediave, etj.
Detajet
Në ora 18:00, pas betimit, presidenti i ri do të shoqërohet sipas protokollit nga makina e tij së bashku me 6 motorrët e policisë. Mësohet se fillimisht Ilir Meta do të pritet në zyrë nga Presidenti në detyrë, Bujar Nishani. Një takim i shkurtër “kokë më kokë” do të bëhet mes Nishanit dhe Metës. Më pas të dy do të dalin në sheshin përpara Presidencës, ku Metës, përpara fjalimit të tij do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Gjatë kësaj ceremonie, Meta do të jetë i shoqëruar nga vajza e tij, e jo nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila e ka bërë të ditur këtë vendim që në momentin kur Meta u votua si President në Parlament. Pas fjalës që do të mbajë Presidenti i ri, ai në mënyrë simbolike do të përcjellë paraardhësin Bujar Nishani, moment ky që pasohet nga ceremonia zyrtare me parakalimin e forcave të Gardës së Republikës dhe 21 të shtënat me top.
E pas përfundimit të ceremonisë, vetëm një orë pas marrjes së detyrës zyrtarisht si Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të japë intervistën e parë, në orën 21:00 në Top Story, përballë gazetarit Sokol Balla. Ndërsa presidenti Meta, i cili merr detyrën ditën e hënë ende nuk ka vendosur nëse do të zgjedh rezidencën qeveritare numër 4 ku qëndroi presidenti Nishani apo do të qëndrojë në të njëjtën banesë ku është aktualisht. Të hënë pritet që presidenti Meta të merret në ruajtje dhe nga eskorta me 12 shoqërues, që për 24 orë të ndarë në dy grupe janë përgjegjës për sigurinë fizike të tij në ambientet e zyrës, banesës, dhe çdo lëvizje që kryen presidenti. Në ruajtje të Gardës së Republikës vendoset dhe zonja e parë Monika Kryemadhi e cila gëzon dhe statusin e deputetes dhe eskorta e saj do të përbëhet nga një automjet, shoqërues dhe shofer. Me mbarimin e ceremonisë protokollare të betimit dhe më pas marrjes së detyrës në selinë e presidencës ku po përgatitet dhe ceremoniali zyrtar kreu i shtetit z. Ilir Meta do të marrë dhe automjetin presidencial “TR 0001 Z” Mercedez Benz i blinduar.
Drejt vilës në Farkë, Nishani i liron rezidencën Metës
Familja e Presidentit Bujar Nishani nis zhvendosjen nga vila qeveritare numër 4 për në zonën rezidenciale të vilave private në Farkë në dalje të Tiranës, bënë me dije burime për mediat nga protokolli i shtetit. Aktualisht sqaruan burimet ka nisur zhvendosja e orendive dhe sendeve personale të familjes Nishani për ti liruar ato Presindentit të ri.
Presidentët e 27 viteve të fundit
Historia e këtyre 27 viteve ka prodhuar 6 presidentë deri më tani; Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Përveç Ramiz Alisë, i cili ishte për disa vite edhe numri një i partisë që qeveriste Shqipërinë, emrat e tjerë nuk kishin ndonjë eksperiencë shtetërore të nivelit të lartë, para se të zgjidheshin kryetar shteti. Ilir Meta i ka provuar funksionet më të larta drejtuese. Ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë, ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, Kryetar Kuvendi dhe drejtues i kryetar i Lëvizjes Socialiste.