Inspektorati inspekton “Jugohromin”: Nuk i plotëson kushtet, të ndërpresë punën

93

Moebel THEMA

Kaloi afati qeveritar dhe Kombinati “Jugohrom” ende nxjerr tym nga oxhaqet e tij. Inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë konstatoi sot se “Jugohrom” nuk ka bërë asnjë përpjekje për të respektuar ligjin dhe kërkoi mbylljen e tij.

“Inspektorati shtetëror kreu inspektimin në Ndërmarrjen “Jugohrom-Alzar” dhe në bazë të procedurave ligjore kreu inspektimin, me ç’rast edhe dorëzoi vendimin me të cilin është vendosur për ndërprerjen e punës, gjegjësisht aktiviteteve që i zhvillon Ndërmarrja “Jugohrom”. Afatet janë në bazë ligjore dhe për deri sa ato nuk plotësohen, aktivitetet që janë të parapara në planin operativ, nuk do të ketë vazhdim të punës”,- deklaroi inspektori i Ministrisë së Ekologjisë, Hysni Thaçi.

AHMETI: MJAFT ISHTE, ME RËNDËSI SHËNDETI I QYTETARËVE

Për ministrin e Ekologjisë, Bashkim Ahmetin, vendimi i tillë i inspektoratit është i ligjshëm. Sipas tij, me gjithë shqetësimin për fatin e të punësuarve në këtë kombinat, më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve. E të njëjtit mendim është  edhe kryetarja e komunës së Tetovës.

“Nuk ka pajtueshmëri nga të gjitha institucionet, por është një vendim i ligjshëm, i cili është sjellë konform dispozitave ligjore dhe vendimeve të sjella më herët për këtë çështje. Nuk ka qenë e lehtë për mua që të inicioj një vendim të këtillë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka puna e këtij kombinati për të punësuarit aty, por për ne më e rëndësishme është shëndeti i qytetarëve të rajonit të Pollogut dhe ne nuk bëjmë asgjë më tepër se sa punën tonë. Mjaft ishte!”,- theksoi ministri i Ambientit Jetësor, Bashkim Ameti.

ARIFI: TË GJITHË DUHET TË RESPEKTOJNË LIGJIN

“Qëndrimi ynë i shprehur para dy javësh ka qenë që të paktën edhe gjatë muajve të dimrit ky kombinat të pushojë së punuari dhe qeveria të marrë përsipër subvencionimin e punëtorëve atje. Çdo institucion duhet të respektojë ligjin, ne përkrahim vendimin e inspektoratit që ka marrë”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Jozyrtarisht mësojmë se “Jugohrom” ka kërkuar vazhdimin e afatit edhe për 18 muaj të tjerë.

Comments