Gjendja e vështirë sociale e familjes Selmani, sëmundja e kryefamiljarit dhe djalit të kësaj familje, e ‘detyrojnë’ zonjën e shtëpisë që të dali para mëngjesit e të kthehet natën vonë, duke kërkuar të sigurojë kafshatën e gojës.

Makfire Selmani, e zonja e shtëpisë, rrëfen për gjendjen e jashtëzakonshme të familjes së saj.

Ajo tregon se sa e vështirë është të jesh “vetë burrë dhe vetë grua”, pasi që tash e disa muaj burri saj është i shtrirë në spital, kurse edhe djali i shtrirë në shtëpi është duke luftuar me sëmundjen e kancerit. Përveç brengave të familjes, ajo problem e ka edhe vendin ku jeton ngase tash e disa herë zyrtar të institucioneve u kanë kërkuar që të paguajnë për vendin ku jetojnë.

Makfirja brengoset edhe për djalin tjetër që në moshën 14 vjeçare është i sëmurë nga sytë dhe ka pasur 4 aksidente, dhe i cili nuk është në gjendje për ta vazhduar shkollimin.

“Vet grua vetë burrë, qe 25 vite jemi këtu. Dy të sëmurë. Gjendjen më të rëndë se unë nuk e di a e ka dikush. Tek unë nuk punon askush. Nuk di sa kuptoni, unë çka se len Zoti nuk e bëjë. E varfër jam, motër myslimane jam, çka nuk e lejon Zoti nuk e bëjë, para xhamisë e zgjati dorën me ja siguruar kafshatën dhe dy të sëmurëve barnat. S’ka më vështirë. Edhe djali tjetër prej syve është i sëmur, një herë sociali ma ka mundësuar, ma kanë dërguar tek Klinika Gjermane, ma’ skam, e ka afatin e shkurtë për shërim, por nuk kam mundësi me e shërua. Tash mu kanë bë dy të sëmurë, edhe burrin e sëmur me 100 sëmundje. Jam e Terrnovcit nga Komuna e Bujanocit. gjendjen më të rëndë se unë nuk besoj që e ka dikush, veç çka më kanë ndihmuar, çka kanë bë rahmet, Zoti i shpërbleftë. Qetu flej, qetu rrimë, qetu krejt… Dikush mundet t’më kupton, por nuk është e lehtë. Vetë grua vetë burrë. Burrin e kam ne spital me 100 sëmundje. E dinë sociali e dinë krejt. Me social nuk po muaj me i mbërri barnat e shtrenjta po i kam”, thotë Makfirja për Kosovapress.

Ajo tregon se kërkesat e tyre drejt institucioneve kanë qenë të vazhdueshme, por që këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër, siç thotë ajo, ngase sot e 25 vite ata po përballen me jetë mjaftë të vështirë. Zonja Selmani është mjaft e shqetësuar edhe me institucionet përkatëse, të cilës i kërkojnë të paguaj qira për barakën të cilën ajo e quan shtëpi.