
Kryediplomati austriak Sebastian Kurz i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të sjell Ballkanin në orbitën e vet.
Në një intervistë për gazetën ditore gjermane Handelsblatt, ai ka tërhequr vërejtjen për ndikimin në rritje të Turqisë dhe Arabisë Saudite.
“Në Sarajevë dhe Prishtinë, për shembull, gratë paguhen për të mbajtur mbulesë të plotë në publik. Ne nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir”, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, përcjell Konica.al.
Më tej, Kurz ka kërkuar përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE, me qëllim të mbajtjes së Turqisë dhe Rusisë sa më larg.
Ai ka shpjeguar se Brukseli nuk duhet të humbasë Ballkanin Perëndimor, pavarësisht Breksitit, krizës së migrantëve dhe terrorizmit.
“Ne duhet të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në këtë rajon të rëndësishëm. Ne duhet të mbështesim reformat dhe të luftojmë kundër radikalizimit, dhe të ofrojmë një perspektivë të besueshme në BE”, ka nënvizuar Kurz.

