Viti 2017 i tenistit zviceran Roger Federer është një vit i paharrueshëm, viti i rikthimit dhe triumfit thuajse kudo ku ka luajtur, duke e bërë të paparashikueshme të ardhmen e 36-vjeçarit. Aq sa Federer nuk mendon më për tërheqjen e tij nga sporti. Nga Bazeli, ku dhe po luan në turneun e shtëpisë, zvicerani ka rrëfyer se rikthimi triumfues në sportin e tenisit pas pushimeve të gjata një vit më parë e ka bërë të ndihet sërish i rëndësishëm. “Tërheqja nga sporti? E di që një ditë do të vijë, por nuk e di se kur. Di gjithashtu se nuk jam më 22 vjeç, por jam i lumtur”, tha Federer.
Zvicerani përpiqet të zbulojë arsyet e këtij suksesi në këtë moshë dhe rendit 4 faktorët që sipas tij janë më të rëndësishmit në triumfin e tij në moshën 36-vjeçare: “E para, trupi im me lejon të luajë dhe jam në formë; e dyta, familja ime më lejon të luajë dhe stërvitem rregullisht; e treta, për sa kohë fitoret janë të shumta pse të mos luaj; e katërta, jam ende i lumtur që udhëtoj anembanë botës dhe fansat më duan”, tha Federer, që shton se nëse një prej këtyre faktorëve nuk realizohet, atëherë ai mund t’i thotë lamtumirë sportit. “Për momentin këto 4 faktorë bashkëveprojnë mirë mes tyre, por nëse njëri thotë Jo, atëherë mund të tërhiqem”, u shpreh zvicerani.