Ish-gazetari i njohur intervistohet nga Specialja

437

Ish-gazetari i njohur, Nuhi Bytyqi është intervistuar nga Specialja.

Ai kishte marrë ftesë në maj të këtij viti nga Dhomat e Specializuara në Hagë, shkruan lajmi.net.

Përmes një deklarate për media, ai ka thënë se të gjitha dëshmitë e tij ishin në shërbim të së vërtetës së luftës së UÇK-së, dhe sakrificës së ushtarëve çlirimtar.

“Bazuar në këtë angazhim profesional dhe kombëtar në shërbim të lirisë së atdheut tim, e kisha të lehtë që edhe para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të dëshmoj të vërtetën në mbrojtje të veprimtarisë sonë çlirimtare”, ka thënë ai.

Kjo është deklarata e plotë e tij:

Pas kërkesës zyrtare me shkrim, që më është dërguar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, kam dhënë dëshminë lidhur me veprimtarinë time si gazetar gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dua të njoftoj opinionin publik se e gjithë dëshmia ime, të gjitha përgjigjet e mia në interesimin e prokurorisë, ishin në shërbim të së vërtetës së luftës çlirimtare të UÇK-së, të argumentimit të sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe mbështetjes së popullatës civile dhënë UÇK-së.

Puna ime si gazetar dhe si udhëheqës i ekipit televiziv të Televizionit Shqiptar në zonat e luftës, e prezentuar në TVSH dhe në mediat botërore përmes shumë emisioneve televizive, është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë të pastër, e orientimit të drejtë dhe fisnik të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bazuar në këtë angazhim profesional dhe kombëtar në shërbim të lirisë së atdheut tim, e kisha të lehtë që edhe para Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, të dëshmoj të vërtetën në mbrojtje të veprimtarisë sonë çlirimtare.

Ashtu siç e kam thënë edhe në deklarimet e mia të mëhershme, unë jam krenar që kam qenë pjesë aktive e luftës çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe jam i gatshëm që në çdo kohë të dëshmoj të vërtetën e sakrificës gjithëpopullore për liri dhe pavarësi.

Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Comments