Një ditë pasi zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, shkroi një status në faqen e tij në Facebook duke i quajtur deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqin dhe profesorin e gjeografisë, Florim Isufin, “ekspertë”, këta dy të fundit i janë kundërpërgjigjur zyrtarit qeveritar.
Gecaj, në statusin e tij të djeshëm, u kishte parashtruar disa pyetje Isufit e Bulliqit, duke kërkuar nga ta, veç tjerash, të dijë nëse “kanë bërë matje të territorit në terren me rastin e konstatimit se Republika e Kosovës ka bilanc negativ të hapësirës gjeografike, pas delimitimit të kufirit”, e nëse jo, siç shkroi Gecaj, “çfarë dokumentacioni hartografik është përdorur për të ardhur deri tek një konstatim i tillë”.
“Nëse “ekspertët” Bulliqi, Isufi e Ahmeti kanë ardhur në përfundim se Kosova po humb territor, duke u bazuar nga hartat e ushtrisë Jugosllave, shtrohet pyetja pse komisioni qeveritar për matjen/llogaritjen e territorit të Kosovës nuk mund të bazohet në të dhëna kadastrale të prodhuara nga Zyra Gjeodezike e KSAK gjatë viteve 1974-1988? Ju “ekspertë”, që e keni inatin më të madh se arsyen, nëse nuk keni përgjigjen në këto pyetje, mund të konstatojmë lirisht se edhe një herë, si zakonisht, ja keni “futë kot” metodologjisë për kundërshtimin e matjeve të territorit të Kosovës! Aman bre gjeografë të Kosovës, a mund të jepni sqarime ma profesionale, sepse na keni lodhë me deklarata të mëdha se do të dilni me fakte të reja, e veç po vizatoni hartat e njëjta të ushtrisë së Jugosllavisë? Nostalgji se jo mahi…!”, ishte shkrimii djeshëm i Gecajt.
Ndërkaq Isufi, përmes një statusi të gjatë në Facebook, postimin e Gecajt e ka quajtur “fut-kotizëm”, që nënkupton “pallavra”.
Eksperti i gjeografisë, Florim Isufi, në statusin e tij, i cili në fund është nënshkruar edhe me inicialet e deputetit Bulliqi, ndonëse në një pjesë të madhe të tij merret me “dëshmitë” e tij se nuk është jugo-nostalgjik, i kërkon Gecajt edhe dorëheqjen nga posti aktual qeverisës, duke i thënë se “do të shpallesh HERO”.
Ky është statusi i plotë i Isufit dhe Bulliqit:
Reagim ndaj shkrimit të Bajram Gecajt
Të nderuar,
Po e nisim këtë reagim ndaj fut-kotizmave të Bajram Gecajt , “profesionistit dhe ekspertit të shumë çështjeve” i cili na paska shitur moral neve profesorëve të Gjeografisë dhe Gjeodezisë, rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me procesin e demarkimit me Malin e Zi:
Bajram, matje të Kosovës kemi bërë shumë herë, sepse e kemi pjesë të punës në katedrat përkatëse, bile për të bërë matje, pa modesti po e themi se të gjithë pjesëmarrësit në komisionin e krijuar nga qeveria, kanë qenë studentë apo kursantë tonë të cilët kanë mësuar duke ndjekur ligjërata apo kurse grupore dhe individuale, madje edhe me dhjetëra herë. Pra matje jo që kemi realizuar, por edhe jemi mundu që ti mësojmë edhe të tjerët, madje edhe me metodat më të avancuar.
Bajram kur kryeministri yt ishte kryetar i Prishtinës të vetmit ne kemi qenë të përgatitur profesionalisht për krijimin e bazës rasterike satelitore për ditën “0”.
Bajram, a janë këto matje precize, milimetrike? përgjigja jonë profesionale bazuar në tërë literaturën shkencore është JO, pse nuk janë 100% të sakta? për shkak të shumë faktorëve por edhe sepse Kosova nuk e ka të mbaruar ende demarkacionin me të gjitha shtetet fqinje. Bajram a do të dalësh ti në maje të Panqiqit për të vendosur markera në vijën kufitare, apo i vendosë ata përmes facebook-ut?
Sa për ilustrim, po ua jap shembullin e Serbisë. Ajo ende i publikon të dhënat për sipërfaqen me fusnotë, jo pse nuk mund të masë atë, por sepse nuk duan të “ngulen” që të publikojnë të dhëna sa sipërfaqe kanë, sepse pastaj nëse ju rezulton më shumë ose më pak gjatë demarkimeve me shtetet ish-Jugosllave, mund të vijnë në pozitë të keqe. Në një rast të tillë dikush pastaj tu thotë kaq keni publikuar dhe kaq duhet të keni sipërfaqe.
Tash e disa muaj, jemi munduar me iu sqaruar të gjithëve se nuk bënë Kosova të dalë me vlerë përfundimtare të sipërfaqes, sepse do të na keqpërdor Serbia atë veprim. A po e vëren ti qeveritar i Republikës së Kosovës se sa probleme të mëdha akademike dhe shtetërore po na sjell diferenca mes 10887 km2 dhe 10906 km2 duke mos i përmendur shifrat tjera.
Bajram sa i përket dokumentacionit të përdorur, i kemi përdorur tërë opsionet, prej materialeve te ish-Jugosllavisë, ish-Krahinës se Kosovës, materiale të institucioneve me renome ndërkombëtare në fushën e hartografisë etj. Ne jemi shumë më të kujdesshëm se ju, duke punuar për Kosovën e jo kundër saj, duke mos u bërë avokat i Malit të Zi. E ke dëgjuar thënien në zhargonin popullor që përdoret nëpër betejat e luftërave. “Me vra rusin me kallash të vet”. E kjo vlen edhe për ne, të mbrojmë territorin e Kosovës me material (fakte) të ish Jugosllavisë. Ky është dallimi mes nesh.
Si duket Bajram, ti ose nuk don ose nuk din, ne vazhdimisht kemi thënë se nuk i përjashtojmë materialet që i kemi përdorur, nuk jemi selektiv sikur strukturat politike dhe profesionale qeveritare.
Bajram mos e shfrytëzo modestinë tonë që nuk reagojmë kundër kolegëve tonë për shkak të respektit dhe nivelit akademik që i takojmë, sepse jemi të bindur që një ditë edhe ata do ta kuptojnë sa dëm po i bëjnë Kosovës, dhe se reagim më të fort nuk do të përjetojnë kurrë gjatë jetesë së tyre. Të pyesim Bajram, ti si pjesëtar i kësaj qeverie si do ta përjetosh, dhe si do të arsyetohesh, kur vërtetohet se Kosova humbi territor?
Bajram ne në publikimet tona kemi përdorur edhe material kadastrale të Drejtorisë për Gjeodezi të KSA të Kosovës, pikërisht të vitit 1974. Bile ka edhe zona kadastrale në të. Edhe pse në atë hartë vija kufitare nuk është 100% ajo e delimitimit të viteve 1945/46, prapë ajo vijë është shumë më pak e dëmshme se sa vija për te cilën ju insistoni të bëhet e plotfuqishme. Askush nga njerëzit e juaj nuk ka dalë kurrë që ta rrezoj si fakt, jo pse s’kanë dashtë por s’kanë mundur. Kjo ju bënë të jeni selektiv dhe të njëanshëm për t’iu konsideruar të gjithëve që me vetëdije po e dëmtoni territorin e Kosovës. Këtë material e kemi prezantuar edhe në debatin e 3 gushtit, por si duket ju nuk e keni pa ose nuk keni dashtë ta shihni.
Bajram ne nuk kemi inate me askënd, as me ata qe i keni ndërsyer për të na fyer, për çudi nuk keni lënë gurë pa lëvizë për të gjetur “argat” për të na fyer e poshtëruar, të tentojnë të na diskreditojnë, por fatkeqësisht ju e diskredituat veten dhe argatët tuaj, siç jeni kah i djegini edhe tash.
Bajram ne nuk kemi inate, këtë punë s’e kemi bërë për inate, por një gjë duhet ta kuptoni se as neve e askënd nuk mund te mposhtni me fyerje poshtërime, shantazhe, por vetëm me fakte të cilat nuk i keni.
Bajram, për veç neve këtë marrëveshje e kane kundërshtuar edhe shumë të tjerë në Kosovë e jashtë saj, kudo që ka shqiptarë, jo për shkak të ambicieve nacionaliste, por për jo seriozitetin dhe injorimin e të gjithë atyre që kanë kundërshtuar këtë draft marrëveshje. Nëse ke harruar po ju përkujtojmë se këtë marrëveshje zyrtarisht e kanë kundërshtuar: banorët e Rugovës dhe të Dukagjinit, Kuvendi Komunal i Pejës (me rezolutë), subjektet politike, mbi 200 mije nënshkrues të peticionit, dhjetëra ekspert të lëmive të ndryshme që ndërlidhen me çështjen kufitare, intelektual të pavarur etj. Ne dyshojmë që pikërisht këshilltarët e dobët e kanë futë në telashe edhe kryeministrin.
Bajram, një gjë e ke të sigurt që soji i yt dhe atyre që po na shajnë, fyejnë, kërcënojnë e shantazhojnë jeni duke kontribuar direkt në zvogëlimin e sipërfaqes së Kosovës, e themi këtë sepse e kemi matur.
Bajram shko në Malin e Zi dhe kërkoju atyre le të na demantojnë për këto matje që i kemi bërë dhe merr përgjigje zyrtare pse ndodhi. Tregoj për metodologjinë matëse tuajën dhe do të qeshin me ju se sa naiv keni qenë dhe jeni tash.
Na paske quajtur edhe Jugo-nostalgjik sepse kemi përdorur harta jugosllave ushtarake, ju sigurojmë se nuk jemi te tillë, pikërisht gjenerata jonë dhe ne kemi qene këndej edhe në kohën e okupimit edhe në pjesën më të madhe të luftës, duke dhënë kontribut të pa mohuar në qëndresën pasive brenda territorit të Kosovës.
Bajram sa jena nostalgjik për ish Jugosllavinë po ju informoj me disa fakte: kurrë nuk kemi qenë në asnjërën nga njësit administrative të ish Jugosllavisë përveç në Maqedoni, as para e as pas lutës, për deri sa shumica e strukturave politike dhe profesionale si dhe të komisioneve qeveritare kanë përfunduar shkollimin nëpër Beograd, Novi Sad, Sarajevë, Zagreb, Lubjanë, shkurt në territorin e ish Jugosllavisë komuniste Titiste. Ne jo. Pyete kryeministrin ku i ka përfunduar studimet shkencore të magjistraturës.
Nuk ju kemi borxh me ju dhënë llogari, por pasi po shihet se jeni “verbuar” e nuk po shihni e as dëgjoni, Kosova dhe të gjitha njësitë federale të ish Jugosllavisë kanë përdorur dhe ende përdorin harta topografike të prodhuara/botuara nga IGJU i ish Jugosllavisë, sepse kanë qenë të punuara shumë mirë dhe profesionalisht kanë shërbyer si harta bazë për shumë harta tjera për nevoja shtetërore dhe shkencora.
Bajram pse nuk e shkatërron çdo të mirë materiale dhe infrastrukturore, madje edhe objektin për prodhimin e energjisë elektrike në Obiliq, pasi u ndërtua në kohën e ish Jugosllavisë, liqenin e Badovcit, Radoniqit, Batllavës, sistemin e ujitjes Iber-Lepenc e shumë të tjera për të treguar se nuk je Jugosllavo-nostalgjikë.
Bajram duke qenë se je pjesë e qeverisë, dhe se humb shumë kohë në facebook, nuk e dimë si të paska ikur lajmi i pak javëve më parë ku për herë të parë Kosova ka prodhuar harta të veta topografike, bile edhe ato me përkrahje të qeverisë Japoneze. http://koha.net/?id=&l=149606
Ja një citat nga ai njoftim në portalin koha “Kosova nuk ka pasur hartë topografike deri më tani. Harta e vjetër Topografike 1:25000 për territorin e Kosovës ka ekzistuar me të dhëna të pa azhurnuara mbi 30 vite”.
Te gjitha ato harta të vjetra që nga periudha e Luftës se Dyte Botërore e gjerë më tani kanë qenë të prodhuara nga VGI (Instituti Gjeografik Ushtarak).
Bajram kush është më nostalgjik për ish Jugosllavinë, Ne apo Ti?
Bajram sa jemi nostalgjik tregon fakti se në familjet tona ekziston një rregull, maksimalisht me ik nga blerja e produkteve Serbe. Nuk duam që familja jonë me dhënë kontribut në financimin e ushtrisë serbe që është betuar për shfarosjen e popullit shqiptarë në Kosovë. Kjo është nostalgjia e jonë, por cili është kontributi i juaj si zyrtar qeveritar? Shpërblimi i ushtrisë serbe me mbi 290 milion euro në vit, a nuk ju duket një kontribut i drejtpërdrejt i juaji në këtë çështje, kur brenda në qeveri keni njeriun me pozicionin me të forte politik që e bënë këtë. Pse nuk jep dorëheqje nga kjo qeveri për deri sa të ndalohet financimi i ushtrisë dhe politikës serbe nga taksa paguesit kosovar, do të shpallesh HERO.
Bajram mos u merr me këtë çështje se veç po dukesh qesharak dhe naiv.
Bajram në fund po duket se po të vlojnë zorrët në bark për ta ditur se cilat janë rezultatet tona të arritura në ditët e fundit. Duro edhe pak se do t’i publikojmë, kësaj radhe jo me harta shkollore dhe të enciklopedive, por me ato zyrtare qeveritare dhe më të sakta në botë. Ju me refuzimin e tërë materialit që e kemi publikuat, vetëm sa na kini ndihmuar në kërkimin dhe gjetjen e fakteve tjera, por duke mos i hedhë ato të parat si jo shkencore. Do presim se në çfarë rezultati do të dilni ju e pastaj ju tregojmë tonat. Edhe pse jo etike profesionale, kështu po e doni ju.
F.I. & SH.B.