Italia kërkon garanci për aktivistët e arrestuar së flotilës, Turqia nis 45 anije drejt Gazës

103
fresco

Flotila “Sumud” po tensionon më tej marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa vendeve europiane.

Sipas një reportazhi të Corriere della Sera, në çështje janë përfshirë edhe shërbimet sekrete izraelite, pasi Italia ka kërkuar me urgjencë nga shefi i Mossad-it, David Barnea, fotografi të të ndaluarve për të verifikuar gjendjen e tyre fizike. Kjo pas zërave për keqtrajtime, të cilët kishin nxitur protesta në Romë.

Televizioni izraelit Channel 12 raportoi se pas kërkesës italiane, Barnea i kërkoi materialin ministres Miri Regev, përgjegjëse për portin e Ashdod, dhe më pas fotot iu dërguan autoriteteve italiane.

Aktivistët në pritje të dëbimit

Sipas burimeve izraelite, mbi 450 aktivistë janë identifikuar dhe transferuar në qendrat e paraburgimit, ku po përgatiten procedurat e dëbimit. Procesi përfshin takime me avokatët e grupit të të drejtave të njeriut Adalah dhe asistencën konsullore të vendeve përkatëse.

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka njoftuar në parlament se Izraeli po përgatit një vendim të vetëm dëbimi për të gjithë aktivistët e huaj të flotilës, me rikthimin e tyre përmes dy fluturimeve charter të parashikuara më 6 dhe 7 tetor nga aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit.

Ambasadori italian në Izrael, Luca Ferrari, deklaroi për Tg1 se të ndaluarit nuk rrezikojnë gjykim penal: “Do të pyeten vetëm nëse pranojnë dëbimin vullnetar. Nëse refuzojnë, procedura do të mbyllet me një vendim gjyqësor për dëbimin e detyruar”.

Një sfidë e re për Izraelin: flotilja nga Turqia

Ndërkohë, një tjetër zhvillim pritet të përshkallëzojë situatën: 45 anije civile me flamuj turq e palestinezë janë nisur nga porti i Arsuzit në Turqi, me destinacion Rripin e Gazës, si pjesë e nismës “Global Sumud Flotilla”.

Kjo do të thotë një tjetër sfidë për marinën izraelite, e cila aktualisht po menaxhon edhe konfiskimin e mjeteve lundruese të flotilës së ndaluar, si dhe ngarkesat me ndihma humanitare. Ato do të inspektohen dhe më pas do të dërgohen në Gaza, ku tashmë tonelata të tjera ndihmash presin shpërndarjen.

Comments