“Nuk mund të lejohet që e tërë ngarkesa në menaxhimin me përmbytjet të bie ndaj armatës dhe policisë, kur në të njëjtën kohë forcat i kanë të ndara për mbrojtjen e kufirit shtetëror. Është e papërgjegjshme që të harxhohen resurset e armatës që të kursehen resurset e tyre”, ka porositur presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, gjatë fjalimit me rastin e 18 gushtit – Ditës së Armatës së Maqedonisë, duke i komentuar vërshimet që ndodhën më 6 gusht të këtij viti, njofton Portalb.

Ivanov, u ka bërë thirrje institucioneve kompetente nga sistemi për menaxhim me kriza dhe nga sistemi për mbrojtje dhe shpëtim, të veprojnë në bazë të kompetencave të tyre ligjore.

“Është krijuar një shprehi, thuajse gjatë çdo fatkeqësie elementare që fillimisht të angazhohet armata. Ajo është, gjithsesi, shprehje e besimit se armata me sukses i kryen detyrat që i jepen. Si komandat suprem, mundem me krenari të them se armata gjithmonë e ka arsyetuar besimin e dhënë”, tha Ivanov në fjalimin e tij.

Megjithatë, Ivanov, tha se angazhimi i vazhdueshëm i ARM-së gjatë fatkeqësive elementare, nuk është zgjidhje afatgjate, sipas tij, duhet bashkëpunim më i madh ndërinstitucional, në nivel lokal dhe qendror dhe se nuk duhet që të pritet që të ndodhë katastrofa që më pas të veprohet në mënyrë reaktive.

“Përmbytjet katastrofike janë paralajmërim i kthjelltë. Paralajmërim se nuk është e mjaftueshme vetëm t’i sanojmë dëmet, por duhet të ndërtojmë kulturë për rezistenca nga katastrofat”, tha Ivanov.