Ja cilat janë pasaportat që lejojnë udhëtime pa viza në botë
Në hartën globale të udhëtimit, një grup vendesh ofron privilegje të veçanta për qytetarët e tyre, duke lejuar udhëtime pa pengesa burokratike dhe pritje të shkurtra në kufi. Sipas botimit më të fundit të Indeksit të Pasaportave Henley, Singapori është lider global, me qytetarët që mund të vizitojnë 192 vende pa nevojën e vizave. Pas tij renditen Japonia dhe Koreja e Jugut, me qasje të lirë në 188 destinacione.
Në vendin e tretë gjenden pesë vende evropiane: Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia dhe Zvicra, të cilët ofrojnë udhëtime pa viza në 186 vende. Një hap më poshtë, vendet evropiane Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Holanda dhe Norvegjia lejojnë qytetarët e tyre të udhëtojnë në 185 destinacione. Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe renditen në vendin e pestë, me qasje në 184 vende. Shqipëria dhe Kosova renditen përkatësisht në vendin e 43-të dhe 49-të, duke ofruar qasje në 121 dhe 81 destinacione pa procedura të ndërlikuara vizash.
Një histori e veçantë është ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat kanë përjetuar rritjen më të madhe në 20 vitet e fundit të indeksit. Që nga viti 2006, vendi ka shtuar 149 destinacione të reja pa viza, duke fituar 57 pozicione në renditjen globale, për shkak të diplomacisë aktive dhe liberalizimit të vizave.
Në vendet e tjera kryesore, Australia, Letonia, Lihtenshtajni dhe Mbretëria e Bashkuar renditen në vendin e shtatë, ndërsa Kanadaja, Islanda dhe Lituania janë në vendin e tetë. Malajzia mban vendin e nëntë, dhe Shtetet e Bashkuarajanë rikthyer në vendin e dhjetë me 179 destinacione. Vendet kryesore të listës tregojnë jo vetëm fuqinë e pasaportave të tyre, por edhe ndikimin e politikave diplomatike dhe të udhëtimit të lirë në nivel global.

