CIA ka zbardhur të tjera detaje sa i takon planit të saj për rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar thuhet se amerikanët po planifikonin një revolucion në Shqipërinë komuniste, ndërsa problemin e shihnin te pasardhësi i Hoxhës, pasi nuk ishin shumë të kënaqur me Ahmet Zogun. Po ashtu tregohet dhe propaganda e regjimin komunist.
Viti 1978
Raport i lidhjeve financiare
Lidhjet tregtare e financiare të Shqipërisë janë të kufizuara, ashtu si dhe informacioni ynë për to. Shqipëria refuzon të pranojë kreditim nga bankat e qeveritë e huaja, dhe transaksionet i kryen thuasje të gjitha me këmbime mallrash. Tirana punon me disa banka të huaja për lehtësimin e tregtisë, por nuk kemi informacione për lidhje të saj me banka qendrore shtetërore.
Që prej mbylljes së tregtisë dhe asistencës ekonomike të Kinës në 1978, Shqipëria me ndrojtje ka zgjeruar disi lidhjet tregtare me vende të tjera për promovimin e zhvillimit ekonomik, duke minimizuar sa më shumë varësinë nga një partner i vetëm. Jugosllavia fqinje është aktualisht partneri më i rëndësishëm tregtar me rreth 21 për qind të tregtisë totale. Pjesën tjetër Tirana e ka ndarë mes vendeve të bllokut sovjetik dhe vendeve Perëndimore.
Megjithëse Shqipëria nuk ka lidhje tregtare me BRSS që prej daljes nga grupi tregtar komunist CEMA në 1961, shqiptarët kanë negociuar me vende lindore të saj si Bullgaria, Çekosllovakia e Rumania. Kohët e fundit regjimi i Hoxhës ka treguar më shumë interes në rritjen e importeve nga vendet perëndimore në makineri dhe teknologji ekonomike për të arritur rritje ekonomike me anë të industrializimit.
Italia, Gjermania Perëndimore, Greqia e Suedia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në Perëndim. Duke reflektuar planet ambicioze të regjimit për modernizim, importet e vendit nga vende të zhvilluara perëndimore përqendrohen në hekur e çelik, makineri transporti e nxjerrjeje mineralesh, dhe telekomunikacione.
Regjim i Hoxhës mbështet në zhvillimin e kapaciteteve minerare me anë të pajisjeve të importuara. Eksporti kryesor i Shqipërisë mbetet kromi, i cili ka sjellë rreth 44 për qind të të gjithë valutës së vendit në 1979. Karburantet si nafta dhe energjia elektrike, janë gjithashtu eksporte të konsiderueshme por vlera e tyre ka qenë e paqëndrueshme.
Meqenëse Kushtetuta e Shqipërisë ndalon huamarrjen nga jashtë, Tirana mund të ruajë balancat e tregtisë së saj me jashtë dhe importon vetëm kur mund të mbulojë kostot, në tregtinë me Perëndimin ajo mbështetet shumë në këmbimin e mallrave. Tregtia organizohet nga agjencitë shtetërore të tregtisë me jashtë, sektor pas sektori.
Një gazetë perëndimore ka raportuar se disa agjenci shtetërore tregtare mund të përfshihen nganjëherë në një transaksion të vetëm.
Lidhjet me kompani të caktuara
Ne nuk kemi informacion të gjerë mbi lidhjet me kompani të caktuara të huaja, por më poshtë kemi renditur disa nga lidhjet e njohura: Në nëntor 1982 kompania e Gjermanisë Perëndimore, Salzgiter AG pranoi të zgjerojë një minierë nikeli në Shqipëri, në një projekt me vlerë 23 milionë dollarë, që pritet të financohet me këmbime tregtare. Kompania japoneze C. Itoh po negocionte në vitin 1982 për ndërtimin e një uzine çeliku në Elbasan, pagesa për të cilën do të bëhej në krom. Konsullata amerikane në Trieste raportoi në korrik 1984 se kompanitë e mëposhtme italiane po negociojnë ose po punojnë me Shqipërinë: FIAT, Italimpianti, ITALTEL, Montedison, Danieli, EFIM dhe FATME. ITALTEL raportohet se ka pranuar të modernizojë linjat telefonike shqiptare në Tiranë dhe dy qytete të tjera, ndërsa Danieli do të asistojë në rritjen e kapacitete të përpunimit të çelikut në një uzinë çeliku. Nuk njihen kushtet e shpërblimit.
Lidhjet financiare
Nuk kemi asnjë informacion për rezerva valute të jashtme të Shqipërisë, dhe besojmë se ato janë të pakta. Nuk ka prova se Shqipëria ka lidhje me banka të huaja qendrore dhe besojmë se ideologjikisht Shqipëria kundërshton diçka të tillë. Me sa jemi në dijeni, Shqipëria nuk është përfshirë në skandale financiare që prej Luftës së Dytë Botërore.
Nuk kemi informacion sesi qeveria e Tiranës apo ambasadat e saj transferojnë fondet dhe nuk e dimë sesi financohen ambasadat e saj. Shqipëria ka tashmë lidhje formale me rreth 100 shtete por në shumicën e tyre nuk ka ambasadorë rezidentë. Shqipëria përdor akreditime të shumëfishta për të mbajtur të ulëta kostot e shpenzimeve në valutë.
Viti 1953
Revolucioni në Shqipëri
Një revolucion i brendshëm në Shqipëri do të ishte i mundur vetëm nëse shembet morali i anëtarëve të partisë dhe besimi i popullit te regjimi. Për skenën shqiptare duhet mbajtur parasysh se që prej Luftës së Dytë Botërore shqiptarët kanë fituar mendësi politike dhe do të jetë e vështirë bindja e tyre për vendosjen e regjimit të paraluftës.
Nëse njerëzit duan Mbretin Zog apo Ballin Kombëtar apo Mustafa Krujën, ata duhet të votojnë për ta, por këta liderë duhet ta kuptojnë se mënyrat e vjetra janë shkuar tashmë dhe duhet prezantuar parime moderne për qeverisjen në Shqipërinë e çliruar. Ndërkohë është gjithashtu e rëndësishme uniteti mes grupeve shqiptare të emigracionit, të cilët duhet të përqendrohen në qëllimin e përbashkët dhe të humbasin energji në polemika mes tyre.
Njerëzit në Shqipëri janë në dijeni të ekzistencës së Komitetit të Shqipërisë së Lirë dhe shpresojnë te programi i tij. Autoritetet e kanë sulmuar shpeshherë grupin e emigracionit pasi broshura te lëshuara prej tij kanë prekur njerëzit si në qytete dhe në fshatra. Autoritetet janë përpjekur të ndalojnë leximin e broshurave por ato kanë qenë me shumë vlerë për ne sepse njerëzit i kanë lexuar dhe karikaturat në to kujtohen shpesh edhe disa kohë pas leximit. Por është e rëndësishme që popullit shqiptar të mos i jepet përshtypja e gabuar se Perëndimi po planifikon çlirimin e shpejtë të vendit pasi asgjë e tillë nuk është planifikuar.
Keqinformimi i njerëzve sjell vetëm zhgënjim, siç ka ndodhur në raste të mëparshme. Qeveria po bën çdo përpjekje për të mbajtur lart moralin e ushtrisë. Rekrutet e rinj i vënë të këndojnë dhe shpeshherë organizohen marshime dhe vente sportive. Disiplina është e ashpër dhe në pamje të parë ushtria duket e organizuar, por në fakt morali është i ulët. Ushtarët shqetësohen vetëm për ditën kur do lirohen dhe kushtet ekonomike të familjeve të tyre përkeqësohen gjatë mungesës.
Atyre nuk u jepet leje për të vizituar shtëpinë dhe bombardohen çdo ditë me propagandë në takime dhe leksione. Ushtarët janë të pakënaqur dhe shumë kanë dezertuar, megjithëse vërejmë një ulje të dezertimeve kohët e fundit. dezertuesit janë kryesisht të rinj nga veriu i Shqipërisë që kalojnë kufirin drejt Jugosllavisë. Organizimi dhe stërvitja në ushtri janë të mira. Një numër i madh oficerësh janë ushtarë të mirë dhe entuziastë për punën apo ideologjinë. Me gjithë faktin se shumica e të rekrutuarve nuk kanë entuziazmin e tyre, ushtrua është një organizatë e mirë luftimi dhe do të plotësonte detyrimet e saj në rast të thirrjes për luftim. Shumica e oficerëve të ushtrisë janë anëtarë të partisë dhe kanë mbështetur me entuziazëm përpjekjet kundër Greqisë në 1949.
Ka pasur gjithashtu një numër prej rreth 50 dezertuesish që tentuan të largoheshin nga fronti por u kapën para se të shpërndaheshin. Por duke marrë në konsideratë disa rrethana, nëse njerëzit në poste do të shihnin mundësinë e ndryshimit në situatën politike, ata mund t’i mbështesin ato. Në rast të tillë edhe ushtarët mund të priten të dezertojnë në numra të konsiderueshëm për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.
Dëmshpërblimet nga Jugosllavia
Shtator 1950
Një notë e dërguar së fundmi nga legata shqiptare në Beograd për ministrinë e jashtme të Jugosllavisë akuzon se kjo e fundit është vonuar në dërgesat e dëmshpërblimeve gjermane për Shqipërinë. Shënimi e përshkruan situatën si më poshtë: Më 10 qershor 1950 Banka e Shqipërisë ka depozituar kredit 106 123 dollarë në bankën Chase në New York në favor të Bankës së Popullit të Beogradit, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të transportit të materialeve të dëmshpërblimit nga Gjermania drejt Jugosllavisë në vitet 1947-1948.
Megjithëse këto materiale janë dërguar drejt Shqipërisë, ato po mbahen arbitrarisht në Jugosllavi nga qeveria e vendit. Krediti është depozituar në përputhje të plotë me kushtet e caktuara nga qeveria jugosllave, me telegramin e saj të 9 qershorit 1950 nga Banka Popullore Jugosllave drejt Bankës Shtetërore Shqiptare. Qeveria jugosllave bëri kërkesën që Banka Shqiptare të caktojë një afat kohor.
Por kjo nuk u bë pasi qeveria jugosllave nuk mund të garantonte kohën se kur do të bëhej transporti i materialeve, me gjithë kërkesat e përsëritura nga komisioni shqiptar i çështjes. Kërkesa u bë nga qeveria e Jugosllavisë me qëllimin e vetëm shtyrjen e nisjes së anijes Nikola Vapzarov, e cila ishte e ankoruar në portin e Split, e ngarkuar me materialet e dëmshpërblimeve të destinuara për Shqipëri, çka sillte shtim të madh të shpenzimeve për Shqipërinë. Qeveria shqiptare i plotësoi dhe kushtet e shtuara, edhe pse ato nuk ishin propozuar drejtpërdrejt por me anë të bankës Chase në New York.
Më pas më 16 qershor, Komisioni i Dëmshpërblimeve të Split i kërkoi zyrtarisht komisionit shqiptar të anulonte disa nga kushtet e kreditimit, duke përfshirë dhe prezantimin e dokumenteve. Me gjithë protestat e vazhdueshme të legatës shqiptare në Beograd dhe ato të komisionit shqiptar të dëmshpërblimeve ndaj komisionit jugosllav, qeveria jugosllave nuk urdhëroi nisjen e anijes Vapzarov nga Spliti deri në 22 qershor 1950. Më 23 qershor në ora 17.30, pasi Vapzarov ishte nisur nga porti i Split me të gjitha dokumentet në rregull, një barkë e armatosur jugosllave e ndaloi atë, duke e kërcënuar se në rast të kundërt do të hapte zjarr. Për arsye se qeveria jugosllave shkaktoi shtyrjen prej 11 ditësh të dërgesës së dëmshpërblimit, qeveria shqiptare e mban përgjegjëse Jugosllavinë për dëmet e shkaktuara nga bllokada e Vapzarov dhe kërkon që të paguhet në shumën 6160 dollarë me anë të bankës Chase në New York, deri më 15 korrik 1950.
Propaganda qeveritare në lidhje me zhvillimin ekonomik
Deri në vitin 1953, propaganda qeveritare në lidhje me sektorin ekonomik, i ka dhënë shumë më tepër rëndësi industrisë sesa bujqësisë. Por deri në mesin e 1954 propaganda ishte orientuar ndaj bujqësisë, gjithsesi pa lënë mënjanë zhvillimin industrial.
Që prej periudhës së zhvillimit ekonomik, një numër i konsiderueshëm të rinjsh fshatarë ishin zhvendosur në qytete dhe vende të tjera pranë ndërtimeve të mëdha të prodhimit industrial. Më vonë në 1955, me ndryshimet në politikat ekonomike, një pjesë e këtyre njerëzve humbën vendin e punës.
Shumica e të liruarve nga puna ishin ish-fshatarë dhe një pjesë e vogël vinin nga qytezat, dhe në vend që të ktheheshin në fshatrat e tyre, qëndruan në qyet duke kërkuar punë ( si teknikë, shoferë etj.) Disa prej tyre që u kthyen në zonat e tyre, nuk dëshironin më të punonin si fshatarë. Ata mësuan një zanat dhe nisën të punonin në ndërtim. Vendosmëria e tyre për të qëndruar në qytet shpjegohej me kushtet e vështira të jetës së fshatit dhe preferencën për jetën relativisht më të rehatshme të qytetit.
Kooperativat
Në të njëjtën kohë, qeveria u përpoq të promovonte kolektivizimin e fshatrave, veçanërisht në zonat fushore të vendit. Kongresi i partisë i vitit 1956 i mbajtur në Tiranë miratoi disa rezoluta në lidhje me luftën e klasave. Në të u vendos për reduktimin e fushatës kundër ish-kulakëve, si dhe për rehabilitimin e disa prej kulakëve që ishin denoncuar si të tillë me akuza të rreme. Në vitin 1955 qeveria komuniste i bëri apel të gjithë shqiptarëve në diasporë (përveç kriminelëve) duke i ftuar të ktheheshin në atdhe. Por shumë pak prej tyre e bënë këtë.
Një banor i paemëruar i Gjirokastrës që vendosi të kthehej, punoi gjatë vitit 1956 si kuzhinier në Gjirokastër, por më vonë u arrestua dhe u burgos. Në vitin 1956 u njoftua një reduktim në çmimin e veshjeve, çka shkaktoi një përshtypje pozitive te publiku. Por kur u bënë publike çmimet e reja njerëzit ishin të zhgënjyer pasi ulja ishte e pallogaritshme.
Revolucioni në Hungari
Në disa qytete njerëzit kishin dëgjuar për revolucionin në Hungari 2 ditë para se të transmetohej nga radio dhe shtypi shtetëror. Edhe kur ishte duke rënë shi, altoparlantët e instaluar në qytete gjithmonë ishin të rrethuar nga njerëzit kur transmetoheshin lajme për kryengritjen në Hungari. Punonjësit gjithnjë pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin dëgjuar lajme të reja nga Hungaria. Njerëzit ishin më të interesuar në fillim kur ishte në qeveri Imre Nagy. Pas ndërhyrjes sovjetike dhe pas rivendosjes së regjimit komunist interesi i njerëzve u zvogëlua, deri sa arriti në pikën e indiferencës së plotë. Nuk pati demonstrata aktive proteste, përveç një rasti të përmendur nga kreu i kooperativës së Gjirokastrës, Sotir Koshollari në një takim ndoktrinim politik.
Aty ai tha se një murator (pa i përmendur emrin) i kooperativës së Gjirokastrës tentoi të nxiste kolegët e tij punëtorë të kooperativës, që të ndiqnin shembullin e popullit hungarez. “Çfarë po presim? Ne duhet të ndjekim shembullin e popullit hungarez”, kishte thënë ai. Në përgjithësi morali i njerëzve është i ulët, ndërsa fshatra si Sopik, Poliçan dhe Lazarati janë plotësisht anti-komunistë.
25 shkurt 1959
Baza Pasha Liman, Vlorë Shqipëri
Survejimet fotografike tregojnë për një bazë nëndetësesh në ndërtim në skajin jugor ë Vlorës, ku një vit më parë kishte vetëm disa kapanone të vogla. Në anën perëndimore të saj është ngritur një pistë rreth 150 metra e gjatë dhe 8 metra e gjerë dhe në fillim të pistës gjendet hapësira e ndërtimit, me katër ndërtesa në formë kapanonesh.
Zona e mbështetjes së projektit përbëhet nga një central i mundshëm me naftë dhe shtatë ndërtesa magazinimi me masa të ndryshme rreth 700 metra në jug të pistës. Zona ushtarake e strehimit dhe e administratës përbëhet nga 3 kapanone në formë T-je dhe gjashtë ndërtesa më të vogla.
Nga fotot dallohet një nëndetëse e madhe e klasit ATREK dhe katër nëndetëse të klasit “Ë” të vendosura përgjatë pistës. Mjete të tjera të afërta detare përfshijnë një mjet të vogël çisternë, një barkë tërheqëse dhe dy barka patrullimi. Një mjet hidraulik gërmues po thellon ambientet ujore. Tre bateri goditëse me radarë, mundësisht artileri e mesme anti-ajrore janë të vendosura në pjesën më të lartë të gadishullit të Karaburunit. Dy prej tyre janë të pajisura me njerëz dhe kanë nga tetë gryka secila. Një bateri është 6-grykëshe dhe ka katër deri në gjashtë postet e zëna me ushtarë.

