Jabollçishtë-Veles: Femrat pa arsim të mesëm! (Video)



Të jesh vajzë e fshatit të Jabollçishtës do të thotë se nuk e gëzon fatin të shkollohesh. Femrat në këtë fshat malor të Velesit, e mbarojnë vetëm filloren në fshatin e tyre, dhe nuk shkojnë në shkollë të mesme.
Banorët e këtij fshati, thonë se arsyeja është pse shkolla është 50 kilometra larg shtëpive të tyre. Por, po del se arsye tjetër është edhe stereotipet, shkaku i të cilave vajzave ua ndalin shkollimin.
“Larg e kanë shkollën, duhet këtu ta kenë në vendin e vet. Për atë nuk i lëshojmë vajzat ne, sepse në qytet ka lloj -lloj njeriu. Këtu dikush shkon në shkollë e dikush jo”, thotë Belir Abazi, banor i fshatit.
Vajzat nuk i pyet kush në këtë fshat. Këtë e tregon edhe një nxënëse, e cila shpreh hapur dëshirën e saj për të vazhduar shkollimin, që nuk i lejohet vetëm pse i takon Megjithatë dëshira për të qenë e arsimuar është e madhe tek nxënëset e këtij fshati, por thonë se duhet të pajtohen me fatin e tyre.
“Jo nuk do ta vazhdoj shkollimin e mesëm, për shkak se nuk më lejojnë prindërit. Krejt kjo sepse kam suksesin e dobët. Unë do të rij me prindërit e mi, shkoj në dasmë. Kurse në fshatin tonë ka që para se ta mbarojnë shkollën martohen”, shprehet Besiana Sinanova.
E arsimtarët e shkollës fillore të këtij fshati, thonë se bëjnë përpjekje maksimale që t’i inkurajojnë prindërit që t’i lëshojnë për shkollim të mesëm, sepse sipas tyre janë nxënëse me sukses të shkëlqyer. Mësuesi Adem Alili thotë se mentaliteti i këtij vendi është se djali duhet të shkollohet kurse vajza të martohet.
“Këtu nuk ka të bëjë largësia sepse transporti është ofruar pa pagesë. Sa vite që e kemi këtë problem ende nuk mundemi ta zgjidhim këtë problem, sepse kjo nuk varet vetëm nga arsimtarët, por nga prindërit. Këtu mungon interesimi i prindërve që të zgjidhet problemi dhe t’i lejojnë shkollimin e vajzave të tyre në të mesme. Këtu dallon se gjinia femërore nuk duhet të shkollohet kurse ajo mashkullore po. Mendoj se po që e lëshojnë vajzën në shkollë do të marrin drejtim tjetër dhe prishen”, u shpreh ai.
Shkollimi i mesëm në Maqedoni është bërë i detyrueshëm, në të kundërtën vijojnë gjoba prej 2000 eurove. Por deri tani sipas banorëve nuk ka arritur asnjë dënim. Këshilltari i ministrisë së arsimit, Safet Neziri thotë se janë të njoftuar me këtë çështje, mirëpo nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete.
“Në rastin konkret inspektorati komunal ka për detyrë ti bën inspektimet, respektivisht t’iu tërheq vërejtje se duhet patjetër të vazhdojë procesi edukativo arsimor, kanë filluar disa aktivitete në këtë drejtim. Instrumente për të detyruar prindërit nuk kemi, vetëm se mjafton fushata televizive që bëhet për shkollimin dhe përparësitë e saj, e tash sa mbërrin deri te syri dhe vesi i tyre, se e vetmja perspektivë e tyre është fëmijët dhe shkollimi i tyre”, thotë Safet Neziri, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.
Në fshatin Jabollçishtë jetojnë mbi 4 mijë banorë. Ky fshat ka shkollën fillore “Liria” me 700 nxënës. Kurse vajzat në këtë vend jetojnë si u thotë familja, dhe me të mbaruar filloren, ato martohen./tv21/